Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e tretë të saj, ushtria e Putinit po përdor metoda nga më të ndryshmet për vrasjen e ukrainasve.
Rasti më i fundit është vërtet dramatik, ku rusët duke u shtirur se po shpërndajnë ndihma humanitare në qytetet që tashmë janë nën pushtimin e tyre, në të vërtetë janë duke shpërndarë eksplozivë, raportoi Daily Mail.
Një gjyshe ukrainase i ka shpëtuar për pak vdekjes pasi një ushtar rus i dha asaj një kuti qumështi të mbushur me eksploziv. Kur pensionistja nga qyteti i rrethuar i Khersonit nisi të hapte kapakun e kutisë të supozuar me qumësht, vuri re telat e ngjitura në kapak. Hetimi i mëtejshëm zbuloi se telat çuan në një detonator, që nëse kutia do të hapej ajo do të shpërthente.
“Nëna ime në pension vuri re se kishte diçka që nuk shkonte me këtë qumësht, sikur dikush të kishte pirë prej tij më parë, ose nëse ishte i prishur. Ajo e hapi me kujdes kapakun dhe më tregoi se çfarë kishte atje”, deklaroi djali i saj.
Kutia e qumështit përmbante një eksploziv të bërë vetë, të lidhur në një litar peshkimi, i cili kur hapej do të shpërthente bombën. Për të mashtruar vendasit që të mendojnë se produktet janë të sigurta, ushtarët rusë po përdorin produkte të prodhuara në Ukrainë. Shumë qytetarë janë të detyruar të marrin ushqime nga rusët për shkak se marketet janë bosh dhe ndihmat nga pala ukrainase nuk lejohen të futen në teritoret që drejtohen nga rusët.
Të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar raportoi se Rusia planifikon të mbajë një referendum të organizuar në Kherson për të justifikuar pushtimin e saj.