Giannis Skaftouros, bosi i jetës së natës në Greqi është ekzekutuar ditën e sotme me kallashnikov në prani të familjarëve.
Sipas mediave greke ai u vra në oborrin e banesës së tij në Skourta të Athinës teksa ishte nën shoqërinë e 10 personave, miq dhe të afrëm.
Si pasojë e të shtënave, Protothema bën me dije se ka mbetur e plagosur vajza e 55-vjeçarit e cila u dërgua në Spitalin Attikon, si dhe vjehrri i tij, edhe ky i fundit u transportua me ambulancë në spital.
55-vjeçari ishte bashkë me të afërm të tij në pjesën e gjelbëruar të shtëpisë duke festuar pas Pashkëve ndërsa të paktën një plumb kapi edhe vajzën e tij 22-vjeçare.
Policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në zonën përreth dhe Athinë, për kapjen e autorëve ku krahas makinave janë futur në funksion edhe helikopterët.
Kush ishte 55-vjeçari
Giannis Skaftouros njihej si bosi i jetës së natës në Greqi. Dora e djathtë e Vassilis Stefanakos, i akuzuar ndër të tjera për pjesëmarrje në rrëmbime dhe vrasje me pagesë. Ai kishte 3 vite e gjysmë që ishte liruar nga burgu.
Në vitin 2018 ai është sulmuar me thikë nga disa shqiptarë në burgun e Koridalos ku edhe mori plagë të rënda. Dyshohet se ai sulm u planifikua dhe zhvillua nga pjestarët e “Mafias së Burgjeve” të përbërë nga shqiptarë, me qendër Korydalon sipas mediave greke.
Në shkurt 2020, Giannis Skaftouros u arrestua gjatë një kontrolli të rastësishëm të punonjësve të policisë së ekipit të DI.AS në Glyfada. Atij iu gjet një pistoletë, plumba, një thikë dhe një radio e cili ishte i sintonizuar në frekuencat e policisë./albeu.com