Mediat në Shqipëri kontrollohen nga 8 persona, të cilët i shfrytëzojnë për të mbajtur lidhje me pushtetin.
Kështu bëhet e ditur në raportin e këtij viti të Freedom House.
Në raport pavarësia e shtypit vlerësohet me 3.5 pikë njësoj si në vitin 2021, një rënie krahasuar me të paktën dy vite pararendëse kur ky tregues vlerësohej me 3.75 pikë.
Viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës thotë “Freedom House”.
Sipas raportit, rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin këto platforma për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike.
Ato (mediat) gjithashtu mbështeten në shantazhimin, ose diskreditimin e personave, që flasin kundër interesave të tyre, ose partive politike, që ato mbështesin.
“Përmbajtja e shtypit shqiptar vijoi të përkeqësohej në vitin 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme”, thuhet në raportin e këtij viti të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion.