Policia ka vënë në pranga administratorin e firmës Alba Exotic Fruit, Eduart Dauti, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se vitin e kaluar, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, në vijim të operacionit policor të koduar “Rada”, bënë kapjen e shtetasit:
– E. D., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.