Sekuestrimi i 12 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit, policia shpall në kërkim administratorin e firmës

Policia ka shpallur në kërkim Eduart Dautin, administratorin e firmës ku do të mbërrinte kontenieri me banane, në të cilën u gjetën rreth 12 kg kokainë ditën e sotme.

Vëllai i tij, Bajron Gumeni, me detyrë menaxher i firmës ku do të mbërrinte kontenieri, është arrestuar ditën e sotme pas zbulimit të sasisë së kokainës.

Ditën e sotme, Policia zbuloi një tjetër tentativë për trafikim kokainë me anë të Portit të Durrësit. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e motorit të frigoriferit u gjetën 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë 11 kg e 675 gr.

Njoftimi:

Port, Durrës

Goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri, shpallet në kërkim administratori i saj.

Sekuestrohet një sasi prej 11 kilogramë e 675 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të një firme me qendër në Tiranë.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e motorit të frigoriferit u gjetën 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë 11 kg e 675 gr.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin B. G., 34 vjeç, banues në Tiranë (menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri), si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 50 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës).

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.