Kuvendi shpall vakancën pasi Alqi Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, mbërrin në GJKKO kërkesa e SPAK për arrestimin e tij

Kuvendi ka shpallur vakancës pasi Alqi Bllako ka lënë mandatin e deputetit. Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj ka njoftuar deputetët në seancën e sotme, se Kuvendi shpall vakancën e do ia njoftojë KQZ-së për plotësimin e saj.

“Ju njoftoj që deputeti Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend deklaratën me të cilën vë në dijeni Kuvendin që me vullnet të plotë dorëzon mandatin. Kur deputeti heq dorë referuar nenit 71 të Kushtetutës mandati i tij mbaron. Kuvendi shpall vakancën e ia njofton vakancën KQZ për plotësimin e saj”, tha Felaj.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, dje Alqi Bllako ka dorëzuar sot mandatin e deputetit, pasi prokuroria e posaçme ka kërkuar arrestimin e tij. Rreth orës 15.00 në Kuvend ka mbërritur letra e deputetit socialist.

Bllako nuk është paraqitur fizikisht dhe letrën e ka dorëzuar me postë. Mbledhja e këshillit të mandateve, e njoftuar për dje në orën 18:00 u anulua pasi Bllako vendosi që ta lërë vetë mandatin e deputetit për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.

Në kuvend pritet të futet deputeti Pandeli Mjako i cili nuk arriti të fitojë një mandat. Ish-deputeti nuk arriti të thyejë herësin duke qenë i renditur i 19-ti në listën e Qarkut Tiranës, e për pasojë mbeti jashtë politikës aktive.

Nga ana tjetër, mësohet se në GJKKO ka mbërritur kërkesa e SPAK për arrestimin e tij, pas përfshirjes në aferën e inceneratorëve./albeu.com


Shtuar 31.03.2022 11:17