Panorama ka siguruar raportin e ekspertëve të zjarrfikesve pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Komisariatin e Kamzës ku humbi jetën si pasojë e flakëve i arrestuari 26-vjeçari Arben Mici.
“Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se shkaku u rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie , nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse’, thuhet në raportin e zjarrfikëses.
Njoftimi i Plotë:
Nga raporti i ndërhyrjes nr. 374 , datë 27. 03. 2022, përpiluar nga eksperti i MZSH, Kamëz rezulton se pas marrjes së njoftimit dhe pas ndërhyrjes së tyre është konstatuar se në njërën nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit Policisë nr.5 Kamëz kishte rënë zjarr, ku vatra e zjarrit ndodhej në dhomën e parë djathtas , në hyrjen e korridorit në dyshemenë e së cilës po digjeshin dyshek sfungjeri dhe batanije, ndërsa në pjesën tjetër të këtij ambienti nuk vëreheshin vatra të tjera zjarri , por kishte prani të theksuar tymi dhe bloze.
Pas ndërhyrjes së tyre dhe shuarjes së zjarrit është konstatuar se në fund të korridorit ndodhej një duralumini e mbyllur , të cilën pasi e kanë hapur me forcë , brenda tualetit kanë vërejtur një person të shtrirë në dysheme, të cilin e kanë nxjerrë nga ambientet e komisariatit duke e transportuar te ambulanca.
Brenda këtij ambienti kishte edhe tre dhoma të tjera të mbyllura, por nga informacionet e punonjësve të policisë këto dhoma kishin kohë të mbyllura dhe brenda nuk kishte persona. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se të dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri, ndodhet një krevat mbi të cilin vërehen mbetje sfungjeri dhe të batanijeve të djegura nga zjarri si dhe në anën e djathtë të përballë krevatit dallohen grumbull materiali prej sfungjeri, rrobash të djegura.
Grumbull i cili mendohet të jetë dhe vatra fillestare e zjarrit, ku shikohet djegia sipërfaqësore e dyshekut dhe batanijes ka një masë gati 80 %, duke mos u djegur e gjitha si pasojë e ndërhyrjes së forcave së forcave zjarrfikëse, fakti i cili na bën të mendojmë se zjarri ka filluar në dysheme, tek grumbulli i sfungjerit dhe batanijeve që ndodhen në dysheme.
Theksohet se vatra fillestare e zjarrit është tek dhoma e izolimit, e cila ndodhet e para djathtas korridorit të hyrjes për në dhomat e izolimit, konkretisht tek grumbullimi i sfungjerit dhe batanijes i cili ndodhet në anën e djathtë të hyrjes për në dhomë. Zjarr ka pasur vetëm në këtë dhomë, ndërsa pjesa tjetër e dhomave të izolimit , përfshirë edhe banjon , ku u gjet trupi i personit, nuk ka pasur prani zjarri , por vetëm prani të theksuar tymi dhe bloze.
Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se shkaku u rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie , nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse’, thuhet në raportin e zjarrëfikëses.