Bordi i Transparencës, i ngritur për të menaxhuar situatën e krizës së karburanteve, ka zbardhur vendimin për çmimet e reja në vend.
Sipas bordit, çmimi do të pësojë sërish rritje.
Bordi u mblodh dje më 25 mars dhe ka vendosur se deri më 1 prill çmimi i naftës i shitjes me pakicë do të jetë 245 lekë/litri.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 25 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/liter për periudhën 26 mars- 1 prill 2022
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të jetë 245 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 218 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.