Ndryshimi i Statutit, Bardhi: Nëse shqyrtohet nesër, gjyqtari i thotë burgut hapu. “Rithemelimi”: Ky është kërcënim

Komisioni i Rithmelimit ka reaguar pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi për vendimin që pritet të merret nga gjykata përndryshimet statuore të marra në kuvendin e 11 dhjetorit të mbajtur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në emisionin Frontline në News 24 Bardhi tha se data e seancës së nesërme gjyqësore është caktuar në shkelje të ligjit.

“Gjyqtari nuk ka dosje dhe kanë caktuar një datë pasi ka takuar një përfaqësues të Berishës. Nesër është e pamundur të shqyrtohet. Ajo çka është bërë është çmenduri. Nëse gjyqtari i ka thënë burgut hapu, mund të bëjë çdo lloj çmendurie. Prandaj me shumë gjasa nuk do të ketë një vendim”, tha Bardhi.

Pas kësaj deklarate, Komisionit të Rithemelimit të PD shkruan se ky është një kërcënim publik ndaj gjykatësit të çështjes.

“Sot, para vendimit të gjykatës per Kuvendin e Partise Demokratike te dates 11 Dhjetor te vitit 2021 deputeti Gazmend Bardhi ka ndërmarrë ndaj gjykatësit te çështjes nje sulm kërcënues te pa shembullt që nga sulmi ndaj kolegjit zgjedhor te Edvin Ramës ne vitin 2007. Deputeti Bardhi me sulmin dhe kërcënimet e tij publike ndaj gjykatësit para dhenies se vendimit po kryen nje vepër te rende penale, për te cilen ai do te vendoset para ligjit. Partia Demokratike dënon me ashpersine me te madhe këtë qëndrim te pa-denje qe përbën veper flagrante penale dhe shton se sulmi i Bardhit ndaj gjyktësit, shpifjet, dhe trillimet e tij lidhen para se gjithash me çështje te tija personale me ligjin për të cilat ai mban përgjegjësi direkte, dhe nuk kane asnjë lidhje me Partine Demokratike dhe normat e saj”, thuhet në reagimin e Rithemelimit”.

Si PD edhe Komisioni i Rithemelimit kanë dorëzuar në gjykatë kërkesat për ndryshimet statutore të bëra në dy Kuvendet, atë të datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania” nga Berisha dhe atë të mbajtur më 17 dhjetor nga PD. Statuti i dërguar në gjykatë nga grupi i Berishës, në emër të Partisë Demokratike, por i prodhuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit miratoi ndryshimet në Statut që përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, më shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë. Nga ana tjetër, 11 ndryshimet që morën miratimin e strukturave drejtuese në PD në Kuvendin e datës 17 preknin vetëm anën organizative të partisë. Me këto ndryshime, u zgjerua kryesia e PD. Të dyja palët nuk kanë njohur statutet e njëra-tjetrës.


Shtuar 24.03.2022 20:58