Tjetër “shtëpi bari”, arrestohet 32-vjeçari në Shijak, nën hetim efektivi i policisë

Eraldo Kokomani është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi kishte përshtatur dy ambiente për kultivimin e kanabisit më anë të llambave.

Policia ushtroi kontroll në fshatin Hardhishtë, në njësinë Gjepalaj në Shijak dhe zbuloi në një vilë dhe në një ambient (stallë), lëndë narkotike si dhe fara kanabisi. Në pranga është vënë 32 vjeçari, me banim në Shijak, i cili ishte pronar i këtyre ambienteve.

Policia ka sekuestruar 186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 360 fara cannabis sativa; dy armë zjarri tip pushkë dhe 140 fishekë luftarak; dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete. Po ashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi A. S., me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës.
Materialet kalojnë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.


Shtuar 17.03.2022 17:38