Vendimi i marrë nga Qeveria Britanike për të sanksionuar pasurinë e rusit Roman Abramovic, që hyn këtu dhe klubi i Chelseat, do të thotë që “blutë” nuk mund të shesin dhe as të blejnë lojtarë në merkaton e ardhshme.
Por çdo të ndodhë me lojtarët e huazuar? Njëri prej tyre është dhe sulmuesi shqiptar, Armando Broja, i cili është i huazuar te Southampton.
Shumë klube janë vënë në ndjekje të Brojës, përfshirë këtu dhe vetë Southamptonin, por tani që Chelsea e ka të ndaluar që të fitojë para, 20-vjeçari do të rikthehet sërish me “blutë”.
A është ky një lajm i mirë për Brojën? Për sa kohë Chelsea nuk mund të shesë lojtarë, do të thotë që edhe sulmues të tjerë si Lukaku dhe Werner do të vazhdojnë të jenë në skuadër. Rivaliteti me belgun dhe gjermanin do të jetë shumë i vështirë për shqiptarin.
Gjithsesi çdo gjë pritet të shikohet në ditët në vazhdim, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e kampionëve të Europës dhe botës. Kështu do të mësohet dhe e ardhmja e sulmuesit shqiptar, Armando Broja.