Rama e pranon: E di se në Hipotekën e Durrësit është një “ferr”

Kryeministri Edi Rama në një takim me të rinjtë votues për herë të parë në Durrës e pranoi sot se në Hipotekën e qytetit bregdetar është “një ferr”.

“Sepse kalimi i të dhënave në bazën kompjuterike nuk ka përfunduar”, arsyetoi kreu i qeverisë.

Në fjalën e tij kryeministri theksoi se në gjithë vendin “ka edhe drejtorë që nuk e meritojnë të jenë drejtorë”.

Në cdo vend të Shqipërisë edhe Durrës ka edhe drejtorë që nuk e meritojnë të jenë drejtorë. Në cdo vend të Shqipërisë edhe në Durrës ka njerëz në zyra që nuk e meritojnë të jenë në ato zyra. Por nëse kthejmë kokën pas nga u nisëm…

Sot 95 për qind e shërbimeve merren nga telefoni ose kompjuteri më i afërt.

Pse nuk e di unë ca është Zyra e Hipotekës në Durrës? Ferri i qytetarëve. Sepse kalimi i të dhënave në bazën kompjuterike nuk ka përfunduar.

Sepse nuk është regjistrim të dhënash automatike, është një lesh e li dokumentash të mbivendosura dhe një kaos i krijuar nga vendime gjykatash të bëra në dekada nga ajo drejtësi e cila u qëndroi shqiptarëve mbi kokë, jo për t’ju dhënë drejtësinë por për ta shitur dhe për ta blerë drejtësinë”.


Shtuar 17.04.2021 13:20