“Sponsori juaj non grata”, Yuri Kim ka disa pyetje për kandidatët e Berishës (FOTO LAJM)

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i është drejtuar kandidatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha me disa pyetje.

Kim është shprehur se sponsori i tyre, Sali Berisha, është i shpallur “non grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara dhe ajo nuk kupton se çfarë po u premton ai votuesve.

Komentet Kim i ka bërë në një postim në Tëitter, ku pyet sërish se kush do i drejtojë nëse fitojnë zgjedhjet.

“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju drejtojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?”, shkruan Kim.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall në maj të vitit kaluar “non grata” nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion dhe minim të demokracisë. Berisha, i përjashtuar nga Partia Demokratike me vendim të Lulzim Bashës garon në zgjedhjet e 6 marsit me kandidatët e tij, nën siglën “Shtëpia e Lirisë.

Sakaq, gjatë ditëve të fundit në fushatë është përfshirë edhe Vangjush Dako, i cili mbështet kandidaten e PS në Durrës. Dako është gjithashtu i shpallur “non grata” nga SHBA./albeu.com/


Shtuar 21.02.2022 10:14