PSD-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj

Partia Social Demokratike ( PSD) ka reaguar menjëherë pas arrestimeve që i janë bërë sot anëtarëve të kësaj partie nga Policia e Kosovës.

PSD-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, përfshirë edhe Kryetarin e saj, Dardan Molliqaj.

Postimi i plotë:

Protesta e jonë sot pranë zyrave të ZrrE-së kishte vetëm një qëllim – që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik.

Përderisa çmimin e lartë e të papërballueshëm për shumicën e qytetarëve të Kosovës na e kanë treguar menjëherë, shumë prej çështjeve dhe rrethanave që lidhen me këtë vendim qëndrojnë të panjohura, përfshirë këtu edhe vet vendimin.

Protesta jonë e sotme ishte kërkesë për transparencë. Kjo mungesë transparence po minon çdo mundësi që t’i kundërvihemi padrejtësisë sociale të tarifave të reja të energjisë. Për më tepër, mospublikimi i këtij vendimi bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi.

PSD-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, përfshirë edhe Kryetarin e saj, Dardan Molliqaj.

Arrestimi i tyre përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar dhe kërkuar që vendimet që na prekin të gjithëve të mos qëndrojnë të fshehura publiku.

Përdorimi i dhunës së shtetit në shërbim të fshehjes së dokumenteve publike është një tregues i natyrës së pushtetit që sot është vendosur në vend.

Kjo çështje na prek të gjithëve e sidomos ata që kanë pak. Andaj edhe kundërshtimi është i drejtë.


Shtuar 14.02.2022 17:16