I shoqëruar nga forca të shumta sigurie, momenti kur Saimir Tahiri mbërrin në burgun e Fierit (VIDEO)

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nën masa të forta sigurie, ka mbërritur në burgun e Fierit, ku do të vuajë dënimin prej 3.4 vitesh burg.

Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ta dërguar Tahirin atje pas intervistës së sigurisë, ku ai tha se nuk kishte ndonjë preferencë.

Ky institucion i vuajtjes së dënimit është i sigurisë së zakonshme dhe është ndërtuar përgjatë periudhës kur vetë Tahiri ishte pjesë e kabinetit qeveritar. Punimet për burgun në fjalë nisën në vitin 2011 dhe përfunduan në fund të vitit 2014 duke kushtuar 16 milion euro në total, ku pjesa më e madhe, 14.3 milion euro janë kosto e ndërtimit.

Tahiri u dënua nga GJKKO me 5 vite burg, por përfitoi ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai u shpall fajtor për vetëm një akuzë, atë të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa SPAK-u nuk arriti të provojë akuzat e tjera në emër të tij, të cilat u rrëzuan.


Shtuar 9.02.2022 16:25