Një ngjarje e rëndë u regjistrua më 11 prill në Maqellarë të Dibrës. Një grua vrau vjehrrën e saj me thikë, e cila ndërroi jetë menjëherë si pasojë e plagëve të marra.
Miranda Markja dyshohet se është autorja e krimit të rëndë, ndërsa viktima është 74-vjeçarja, Nazmije Markja.
Së fundmi kanë dalë detaje të reja nga ngjarja që tronditi opinionin publik. Një e afërme e viktimës ka rrëfyer momentin kur ka shkuar në shtëpinë e saj, pasi mori vesh lajmin tragjik.
Sipas saj, ajo e ka gjetur Mirandën në banjë dhe po lante diçka në lavaman.
“I thashë çfarë ke, tha nuk kam asgjë. Ndodhej në shtëpi, pasi ndodhi vrasja. Ishte ora 5 pasdite, Nazmija kishte vdekur pas orës 12. E pyeta si vdiq, tha ka qenë pak sëmurë. E pashë që ishte dobësuar, ishte zverdhur e tëra, nuk ishte fare mirë”, ka thënë ajo.
E afërmja e viktimës ka shtuar se shtëpia ishte bërë gati për mort dhe nuk panë shenja gjaku në shtëpi apo prova të tjera nga vrasja.
“Na erdhi lajmi që Nazmia ka vdekur, nuk na thanë që e ka vrarë Miranda, kur shkuam nuk e pamë trupin e së ndjerës, nuk kemi parë gjë. Kishte ndodhur vdekja, shtëpia po bëhej gati për mort, policia erdhi më vonë. Miranda shkoi në dhomën e vet, derisa erdhi policia”, ka sqaruar ajo.
Zonja, kontaktoi emisionin “Shqipëria live”, pasi në disa portale është përdorur foto e saj si foto e Mirandës, 44-vjeçe. “Dua të them që në ato foto jam unë, nuk kam lidhje fare me krimin, do ta ndjek këtë çështje, nuk do ta le me kaq. Bëj thirrje të fshihet foto ime e djalit tim. Unë e kam vjehrrën këtu dhe shkojmë shumë mirë”.
Miranda Markja dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.