U dënuan me 55 vjet burg, GJKKO zbardh vendimin e ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij

Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit tw Organizuar ka zbardhur vendimin ndaj Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit të tij, të dënuar në total me 55 vite burg.

Në vendimin e zbardhur nga tre anëtarët e apelit të GJKKO-së, e kryesuar nga Miliana Muça dhe gjyqtarët Daniela Shirka e Astrit Kalaja, anëtarët e grupit Shullazi janë dënuar për zhvatje pasurie, kërcënim e grup të strukturuar kriminal.

Referuar vendimit ata janë shpallur fajtor për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe zhvatjen e pasurisë e kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka.

Për këto vepra i pandehuri Emiljano Shullazi u dënua me 14 vjet burg, Gilmando Danin me 12 vjet burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga 10 vjet burg, si dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg. Ndërkohë, grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Në apel dy prokurorët e kësaj dosjeje, Altin Dumani dhe Ened Nakuçi hoqën dorë nga ankimi i kryer më parë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mësohet se zbardhja e vendimit është bërë ditën e djeshme. Pas zbardhjes tashmë pritet që Emiljano Shullazi ti drejtohet me rekurs në gjykatën e Lartë për të kundërshtuar apelin lidhur me vendimin e apelit të GJKKO, për shkelje procedurale. Kujtojmë se vendimi u dha pa praninë e avokatëve. Procesi në Apel për Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij nisi prej janarit të vitit 2019 dhe u finalizua me vendim në fund të vitit të kaluar, pas afro tre vitesh. Dhjetëra seanca të këtij procesi dështuan për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, për shkak të mos njoftimit të tyre, për pamundësinë e formimit të trupit gjykues, si dhe për shkak të  mosparaqitjes së ndonjë prej te pandehurve./albeu.com


Shtuar 2.02.2022 12:36