Presidenti Ilir Meta u ka bërë ftesë partive politike parlamentare për t’u takuar dhe për të zhvilluar një konsultim në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale për 6 bashkitë pa kryetarë.
Presidenca ka njoftuar se Partia Socialiste do të zhvillojë konsultim me Metën sot në orën 12:30 me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballën.
Kujtojmë se PS është shprehur vazhdimisht e gatshme për të hyrë në zgjedhje të pjesshme lokale, duke thënë se presin që Meta të shpallë datën e zgjedhjeve.
Kujtojmë se Meta ka deklaruar se pa kryetarë janë 6 bashki, Durrësi, Lushnja, Rrogozhina, Vora, Dibra dhe Shkodra. Nga ana tjetër, KQZ, në një përgjigje zyrtare për Presidencën ka thënë se ka informacion se vetëm 3 bashki janë pa kryetarë dhe se për Durrësin, Lushnjën dhe Rrogozhinën nuk ka informacion.
Pas kësaj përgjigjeje, Meta i ka kërkuar informacion Kryeministrisë./albeu.com