Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i ka nisur një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës në lidhje me lajmet e publikuara në media për ndërtimin e tre kullave në territorin ku sot ndodhet selia blu.
Bardhi kërkon informacion për 4 pika kryesore duke kërkuar se kur është dorëzuar projekti dhe kush kanë qenë propozuesit, cila ka qenë procedura e ndjekur, a ka pasur vendimmarrje dhe në lidhje me praktikën e plotë që disponon Bashkia e Tiranës lidhur me këtë projekt që nga momenti i dorëzimit deri në marrjen e kësaj kërkese.
Kërkesat e Gazment Bardhit:
Kur është dorëzuar zyrtarisht projekti “Four Freedoms Park” pranë Bashkisë Tiranë, dhe kush kanë qenë propozuesit/financuesit e këtij projekti? A ka pasur gjatë ditëve të fundit një përpjekje nga propozuesit e projektit apo persona të tjerë për riaktivizimin e këtij projekti?
Cila ka qenë procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë lidhur me trajtimin e këtij projekti? A ka pasur një prezantim të këtij projekti pranë zyrave të Bashkisë Tiranë? Nëse po, kush kanë qenë pjesëmarrësit privatë dhe institucionalë gjatë këtij prezantimi? Kujt i është njoftuar ky projekt deri më tani?
A ka pasur një vendimmarrje lidhur me këtë projekt? Nëse po, ju lutem të na vini në dispozicion aktet përkatëse, duke na sqaruar edhe cili është statusi aktual i këtij projekti dhe nëse sipas rregullave në fuqi të planifikimit të territorit a lejohet ndërtimi në zonën e propozuar?
Ju lutem, na vini në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon Bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese.