40 vite diktaturë mbi shqiptarët, zbulohet sëmundja që i mori jetën Enver Hoxhës

Sot, 36 vite më parë ndërroi jetë diktatori Enver Hoxha.

Enver Hoxha, diktatori komunist që sundoi me “dorë të hekurt” për afro 40 vjet, ndërroi jetë më 11 prill të vitit 1985.

Ai ka mbajtur thuajse gjatë gjithë periudhës së sundimit të partisë së tij detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror (e barazvlefshme me atë të kryetarit të partisë), detyrën e kryetarit të Frontit Demokratik dhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (më pas Ushtria Popullore).

Po pse vdiq Enver Hoxha?

Kardiologu i njohur, Sabit Brokaj, një nga mjekët e ekipit që ndiqte 24 orë shëndetin e Enver Hoxhës,  ka zbuluar sëmundjen e cila i mori jetën ish-diktatorit.

Sipas tij, Hoxha vuante nga një patologji e hershme e diabetit dhe ai kishte të gjitha faktorët rrezikues që mund t’i merrnin jetën herët apo vonë.

“Diabeti ishte i njohur që nga viti 1948 dhe ndaj ishte eprori profesor Fejzi Hoxha, mjeku më i mirë endokrinolog që kishim, sepse pacienti ishte i sëmurë diabetik dhe Enver Hoxha mjekohej për diabetin. Ecuria e diabetit me ndërlikimet shoqëruese bëri rrugën e vet natyrale. Duhet të kemi parasysh një pacient me një diabet vështirë për të ekuilibruar, obez, duhanpirës, me stres permanent. Pra, në konceptin e kardiologjisë prej më shumë se 10 vitesh janë të lexueshëm faktorët rrezikues”-thote Brokaj.

Sipas tij, Enver Hoxha kishte gjithë faktorët rrezikues dhe vetiu në një pacient të tillë, janë të pritshme ndërlikimet në sistemin arterial, në zemër apo dhe në tru.

“Për mendimin tim, jo thjesht se isha pjesë e ekipit të mjekëve, por dhe për përvojën për këta të sëmurë, Enver Hoxha ka qenë i sëmurë i mirëkontrolluar, në aktivitet të plotë derisa vdiq në atë moshë, pasi me këta faktorë, pacientët janë të rrezikuar dhe në moshë shumë më të re. Enver Hoxha pati ndërlikimet e tij diabetike”- thote mjeku Brokaj.

Sipas tij, vdekja e Enver Hoxhës ishte rrjedhojë e një patologjie të hershme të diabetit që në vitin 1948, duke krijuar komplikacione, që agravoheshin vit pas viti dhe në organet të tjera të trupit. Madje, ai shton se, kujdesi ndaj tij ishte maksimal, ndërsa Enver Hoxha deri pak para vdekjes ka qenë aktiv në detyrat politike dhe shtetërore. /albeu.com/

 

 


Shtuar 11.04.2021 09:38