U padit për fshehje të 60 mijë eurove, reagon Murrizi: Nuk ka njeri të më bëj presion mua

Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit ka depozituar në Prokurori një padi ndaj ish-deputetit Myslim Murrizi. Ku i fundit akuzohet për fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash.

Murrizi ka reaguar për abcnews.al, ku është shprehur se nuk ka njeri t’i bëjë presion.

“Unë tani e kam marrë vesh nga mediat. Nuk ka njeri që të më bëjë presion mua. I vetmi që duhet të hetojë është SPAK, nuk ka tagër krimi ekonomik. Me pasurinë time merret ILDKPI, aty ku e kam deklaruar. Këto janë llumnaja që i bëjnë njerëz të ish-sigurimit të shtetit. Nëse do të ishte kështu që unë e kam fshehur pasurinë atëherë do të kisha humbur mandatin.

Flasin edhe për një vendim, gazetarët e kanë shumë të thjeshtë ta gjejnë në faqen e Gjykatës së Lartë. Aty është e qartë që unë kam marrë pafajësinë. Pra ka një vendim pafajësie. Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që janë në Policinë e Shtetit.

Unë që nga viti 1990 deklaroj pasurinë time, nuk kam fshehur asnjë qindarkë. Paratë e kujt pastroj unë? Të ministrave të Ramës, të kunatit…”, deklaroi Murrizi.

Sipas burimeve, mësohet se është analizuar veprimtaria dhe transaksionet e firmës në pronësi të ish-deputetit “Murrizi 2009”, nga ku ka rezultuar se janë fshehur 60 mijë euro, të cilat nuk i ka deklaruar në ILDKPKI në 2019.


Shtuar 5.01.2022 15:51