Sot, 5 janar 2022, skadon ultimatumi i ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha, të cilit i ka kërkuar që të dalë nga zyra dhe të kryejë të gjitha dorëzimet përkatëse.
“Referendumi u mbajt në 18 Dhjetor 2021 dhe rezultati i tij përfundimtar sanksionon se 43385 demokratë vendosën për shkarkimin tuaj nga detyra e kryetarit të partisë. Komisioni i Rithemelimit të partisë ju fton të njiheni me vullnetin e referendumit. Kërkohet nga ana juaj të merrni masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe kryer dorëzimet përkatëse deri në 5 Janar 202” tha Belind Këlliçi më 23 dhjetor në emër të Komisionit të Rithemelimit të PD-së.
Nëse Basha nuk del nga zyra, Berisha ka paralajmëruar se do të nxjerrin me forcë, sepse është i shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Nga ana tjetër, Basha ka marrë masa. Ai ka fortifikuar selinë blu, ku sipas zërave është bërë me kangjella në dritare nga ana e brendshme, ndërsa në parking mund të futesh vetëm me autorizim. Gjithashtu kamerat me rezolucion të lartë janë shtuar dhe dritaret janë veshur me simbolet e partisë. Kjo tregon një përgatitje të Bashës për gjithçka mund të ndodhë.
Kujtojmë gjithashtu se Berisha ka paralajmëruar një protestë kombëtare ditën e djeshme. Ai tha se do të mbahet më 8 dhjetor, në orën 12:00, përpara selisë së Partisë Demokratike.
Pas thirrjes së protestës, PD bëri një reagim zyrtar ku tha se nuk do të lejonte që Berisha me trafikantët e drogës të futeshin në PD, ndërsa shtoi se ata po përgatisnin një sulm ndaj selisë. Edhe vetë Basha reagoi, ku tha se është hera e parë që një politikan i nivelit të lartë shpallet “non grata” në vendin tonë dhe hera e parë që ai bën një protestë kundër partisë së tij, PD-së./albeu.com