Rrëmbeu djalin e gazetarit, kush është Titi i rrezikshëm që trazoi Greqinë

Astrit Hasani është një shqiptar i rrezikshëm që qëndron pas një grupi kriminal në Greqi dhe vepron në zonën e Athinës. Sipas mediave greke, shqiptari njihet si Titi i rrezikshëm dhe bazën e bandës së tij e kishte të vendosur në një konvikt të vjetër të Politeknikut në Athinë.

Mediat greke shkruajnë për shqiptarin, dy ditë pasi u godit një pjesë e grupit të bandës së tij, në Atika. Një prej tyre është një 37-vjeçar shqiptar, i cili thuhet se është një roje sigurie që ka punuar me Titin, ndërsa bashkëpunëtori i tij 28-vjeçar, arriti t’i shpëtojë arrestimit.

Hasani është arratisur edhe nga Metagogoni në verën e vitit 2019 dhe u kthye në Shqipëri me qëllim që t’i shpëtonte zbulimit dhe arrestimit të tij nga policia greke, por ra në pranga edhe në vendlindje.

Sipas mediave greke, Titi mund të jetë në burg në Tiranë, por fëmijët, të afërmit dhe miqtë e tij vazhdojnë të përfshihen në aktivitete të paligjshme në shtetin grek.

Bashkëpunëtori 37-vjeçar i Titit, së bashku me nipin e tij 28-vjeçar dhe shqiptarë të tjerë, rrëmbyen djalin 17-vjeçar të një gazetari të njohur në zonën Zografou në maj të 2019-ës. Ata e detyruan të miturin t’ua tregonte adresën e shtëpisë.

Në të njëjtën kohë, sipas hetimit të Departamentit të Grabitjes së Sigurisë së Atikës, personi i arrestuar së bashku me bashkëpunëtorin e tij 28-vjeçar, kishin zënë dhoma të konviktit të vjetër të studentëve në Politeknik, dhe kishin grabitur zyrat e profesorëve.


Shtuar 12.05.2020 08:37