“Kisha vetëm dy minuta kohë”, ish-presidenti afgan rrëfen tmerrin: Si më rrethuan talebanët

Ish-presidenti afgan, mbrojti vendimin e tij për të ikur nga vendi pasi talibanët morën kontrollin ndaj shtetit në gusht të këtij viti, duke thënë se këtë e bëri për të parandaluar shkatërrimin e Kabulit.

Ashraf Ghani në një intervistë për BBC-në tha se me t’u zgjuar më 15 gusht e dinte që kjo do të ishte dita e tij e fundit në Afganistan.

Ghani ishte akuzuar rëndë dhe kritikuar për vendimin e tij që të largohej nga vendi derisa tani ndodhët në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Derisa dita filloi, tha Ghani, talibanët u pajtuan që të mos hynë në Kabul, “por dy orë më vonë, nuk ishte më kështu”, shtoi ai.

“Dy fraksione të ndryshme të talibanëve afroheshin nga dy drejtime”, shpjegoi Ghani. “Mundësia e një konflikti masiv mes tyre do të shkatërronte qytetin me 5 milionë banorë”.

Ai u pajtua që një numër personash të afërt me të, të largoheshin nga Kabuli, përfshirë bashkëshorten e tij. Edhe këshilltari i tij për siguri u largua derisa Ghani priste një veturë që ta dërgonte në Ministrinë e Mbrojtjes.

Vetura nuk erdhi asnjëherë. Në vend të kësaj, këshilltari i tij për siguri u kthye bashkë me shefin e sigurisë së presidencës dhe i thanë Ghanit që “të gjithë do të vriteshin” nëse qëndrojnë.

“Nuk më dha më shumë se dy minuta”, tha Ghani. “Nuk e dija se ku shkonim. Vetëm kur aeroplani u nis u bë e qartë se po largoheshim nga Afganistani. Gjithçka ishte e papritur” përfundoi ai.

Marrja e pushtetit nga talibanët, më 15 gusht, shënoi fundin e pranisë së huaj në Afganistan, për gati 20 vjet. Talibanët pushtuan kryeqytetin e parë provincial më 6 gusht. Dy javë më vonë, ata arritën në dyert e Kabulit.

Pasi rrethuan kryeqytetin, presidenti afgan, Ashraf Ghani, u largua nga vendi. Disa orë më vonë, talibanët morën kontrollin e pallatit presidencial./REL


Shtuar 30.12.2021 16:44