Publikimi i të dhënave të qytetarëve, ku veç pagave e numrave të telefonave, ditën e djeshme doli edhe databaza e targave të makinave, e ka thelluar edhe më tej skandalin dhe ka nxjerrë në pah pabarazi të mëdha sociale.
Databaza posedon të dhëna si marka, modeli i automjetit, targa, poseduesi dhe numri i kartës së identitetit.
Kjo listë e punuar në programin “Exel” është e ndarë në dy kategori, makinat dhe targat për qytetarët, 530,452 të tilla, si dhe automjetet e kompanive, 61,513 të tilla. Në kategorinë e dytë, janë të regjistruara edhe targat e ambasadave përkatëse në vendin tonë, i institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
Nga vëzhgimi i saj, rezulton se shqiptarët shpenzojnë shumë për një automjet, pasi në garazhet e tyre por edhe në rrugët e Tiranës janë makina që vlejnë qindra-mijëra euro, të markave nga më luksozet.
Në Shqipëri ka 16 “Ferrari”, 8 “Rolls-Royce”, 37 “Bentley”, 45 “Lamborghini”, 2 “McClaren” dhe disa lloje të tjera të veçanta. Çmimet e makinave që kalojnë në rrugët e vendit dhe kanë pronarë shqiptarë arrijnë një çmim deri në 300 mijë euro. Ajo që bie në sy është se Kryeministri Edi Rama përdor një mjet superluksoz dhe të shtrenjtë si “GMC Yunko”. Të njëjtin mjet ka nën pronësi edhe Kujtim Haxhiaj. Një nga llojet më të shtrenjta të “Mercedez Benz” është varianti “Benz sclass 63 GLE AMG”, të cilin e kanë në përdorim plot 22 shqiptarë.
Ndër personazhet e njohura janë deputeti i Partisë Socialistë Arben Pëllumbi dhe gazetari i njohur Arjan Çani, si dhe Agim Çako, pronar i një kompanie nafte. Ai ka nën pronësi edhe disa mjete të tjera superluksoze: 2 “Mercedez-Benz 63 AMG”, 1 “Audi A8 L” version luksoz dhe një “Mercedez S500”. Ai u akuzua në fillim të 2020-ës dhe u shpall në kërkim për veprat penale “Fshehje e të ardhurave”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave apo formularëve”.
“Rolls-Royce” është një tjetër makinë e shtrenjtë, të cilën e disponojnë 8 persona, çmimi i së cilës është i kripur për xhepin e shumë qytetarëve. Mes tyre janë emra të njohur si Lori Hoxha dhe gruaja e biznesmenit Ylli Ndroqi, Mimoza Ndroqi, si dhe biznesmeni Mark Luli dhe 5 të tjerë.
“Lamborghini” është nga mjetet e preferuara pasi kanë paguar dhe e kanë nën pronësi plot 45 qytetarë shqiptarë. Duke iu referuar të dhënave të publikuara, ky mjet preferohet dhe ka shumicën e pronarëve biznesmenë, të cilët mesa duket, kanë gjetur atyre rehatinë, për të cilën kanë paguar miliona. Mes tyre është një pronar medie kombëtare.
E vërteta e hidhur e pronësisë së këtyre mjeteve është se nuk janë vetëm biznesmenët ata që i zotërojnë këto mjete, por edhe njerëz prej botës së krimit dhe mafias.