Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë në një deklaratë për media duke zbuluar emrat e 5004 delegatëve që morën pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit.
Bashi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur më Kuvendin, se ku ndodheshin 5004 delegatë, pasi në sallën e mbledhjeve në Pallatin e Kongreseve ishin rreth 2 mijë karrige.
Ai është përgjigjur duke thënë se nuk u kishte vënë GPS delegatëve dhe se të gjithë kanë qenë në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
“Çdo anëtar i Kuvendit Kombëtar që paraqitej në sallë, regjistrohej në komision dhe numri i pjesëmarrësve në mbledhje është numri i anëtarëve që janë regjistruar. Votat janë verifikuar si në çdo votim të hapur që është bërë në çdo Kuvend të PD. Kështu është bërë edhe kur ka qenë i pranishëm edhe Sali Berisha. Votat numërohen me numërim të hapur, kush është kundër e deklaron. Regjistrohen delegatët që marrin pjesë në mbledhje. Delegatë ka pasur të vendosur në të gjitha ambientet e Pallatit të Kongreseve, jo vetëm në sallën e mbledhjeve. Të bëhemi seriozë, të mos bëjmë sikur ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ndryshe këtë herë është procesi i transparencës që po bëjmë, duke qenë se po krijojnë rrëmujë. Kjo është e vetmja gjë ndryshe krahasuar me Kuvendet e tjera të PD, fakti që po nxjerrim emrat.
Salla e Pallatit të Kongreseve kishte rreth 2 mijë karrige, ku kanë qenë 3 mijë delegatët e tjerë?
“Në vend që të numëronit karriget apo yjet, numëronit numrin e delegatëve që u regjistruan. Regjistrimi i delegatëve bëhej në holl, ku u lejuan të ishin të pranishme edhe kamerat. Ne nuk kemi për detyrë të numërojmë karriget, por të bëjmë transparencë të delegatëve dhe procesit të regjistrimit të çdo delegati. Delegatët kanë qenë në ambientet e brendshme të Pallatit të Kongreseve. Secili anëtar që është regjistruar dhe ka marrë pjesë në mbledhje, ka shprehur vullnetin e tij me votë. Unë nuk i kam vënë GPS anëtarëve, sepse nuk është kjo detyra ime. Listat e votimit të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar janë si në Kuvendet e tjera të PD, me rend aflabetik. Unë atë ditë nuk kam qenë Sekretar i Përgjithshëm, por një anëtar i Kuvendit, njësoj me 7645 anëtarët e tjerë. Secili prej nesh, pavarësisht funksionit që ka, ka një votë, sepse është anëtar i Kuvendit. Nuk jemi celulë ilegale, nuk kemi asnjë hall personal, as probleme me ligjin, që të veprojmë si celulë ilegale. Delegatët nuk janë numra, por janë emër dhe mbiemër”.
Pyetje: Do na e jepni një kopje të listave?
“Nuk do ua jap, sepse PD është institucion, nuk shpërndan lista, nuk nxjerr në Lanë e në rrugë lista, dhe as shumëfishon lista. Ne po bëjmë transparencë të plotë të emrave. Boll i kemi lodhur demokratët. Tani demokratët do të punojnë për demokratët. Ka mbaruar ajo kohë. Tani kjo parti ka vetëm një interes, atë të demokratëve. Pengmarrja e kësaj partie për interesa financiare të njërit apo tjetrit ka marrë fund. Pengmarrja e kësaj partie për halle personale ka marrë fund. Kemi përgjegjësi dhe detyrim ndaj ish-pronarëve për t’iu dhënë pronat, ndaj ish të përndjekurve për t’iu dhënë dëmshpërblimin”./albeu.com