“Shpërthimi” i Covid-19 te “Djajtë e Kuq”, merret vendimi për ndeshjen ndaj Brentford

Brendtford – Manchester United, përfundimisht nuk do të luhet këtë të martë. Ajo që i frikësoheshin të gjithë tashmë është bërë realitet. Shpërthimi i Koronavirusit mes “Djajve të Kuq” e bën të pamundur zhvillimin e sfidës së javës së 17-të të elitës së futbollit anglez sipas programit. Klubi i Manchester United, nëpërmjet një njoftimi për shtyp sqaroi se “Bordi i Premier League-s ka marrë vendimin për ta shtyrë ndeshjen në bazë të udhëzimeve të këshilltarëve mjekësorë”.

Klubi anglez ka mbylli qendrën stërvitore të Carrington pasi disa lojtarë dhe punonjës rezultuan pozitivë me Koronavirus. Ndërsa varianti Omicron po përhapet në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar kufizime të mëtejshme, shfaqja e disa rasteve të Covid-19 ka çuar tashmë në shtyrjen e ndeshjes Premier mes Tottenhamit dhe Brighton, të dielën.

Aston Villa gjithashtu ka konfirmuar disa raste në skuadër, pa çuar megjithatë në shtyrjen e ndeshjes ndaj Norwichit. UEFA njoftoi të shtunën anulimin e ndeshjes së Ligës së Konferencës mes Tottenhamit dhe Rennes të planifikuar për të enjten në Londër, për shkak të rasteve me Covid brenda ekipit anglez.


Shtuar 14.12.2021 08:53