Bllokimi i fluturimeve prek futbollin, Shqipëria e futsallit s’paraqitet dot në Ukrainë

Shqipëria e futsallit nuk mund të luajë ndeshjen eliminatore të Europianit 2022 kundër Ukrainës, për shkak të pezullimeve të fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza”.

Kuqezinjtë duhet të ishin nisur sot, por kjo ka qenë e pamundur. FSHF ka dalë edhe me një njoftim: “Kombëtarja shqiptare e Futsallit nuk do ta zhvillojë ndeshjen e eliminatoreve të Europianit 2022 me Ukrainën, e programuar për t’u luajtur më 11 prill 2021 në Zaporizhia.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se shkak për këtë ndryshim të programit është bërë bllokimi i fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Kombëtarja duhet të ishte nisur që mëngjesin e së enjtes drejt Ukrainës, por e ka pasur të pamundur.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vënë menjëherë në dijeni ndërkohë UEFA-n për situatën e krijuar dhe për pamundësinë e udhëtimit”. Fluturimet në vendin tonë janë pezulluar për momentin, pasi kontrollorët e trafikut ajror po protestojnë për pagat e tyre, që janë ulur gjatë pandemisë.


Shtuar 8.04.2021 12:49