100 dollarë në muaj pagë, Skender Qerimi deklaron t’i ketë marrë nga ISIS, çdo muaj, gjatë qëndrimit për 7 vjet në zonat e luftës në Siri. Autoritet kosovare, me ndihmën e FBI-së kanë gjetur prova se ferizajasi, që xhihadin e tij në vitin 2014 e nisi me një kallashnikov, dy vite më vonë arriti që të inkuadrohet në një kontingjent të snajperistëve të brigadës “Dabik”. Ai u riatdhesua në Kosovë në korrik të këtij viti, disa kohë pasi ishte vetëdorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane të cilat në tri vitet e fundit kanë arritur të marrin nën kontroll disa nga bastionet kryesore të ushtrive të Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit (ISIS).
I pafajshëm për akuzat për pjesëmarrje në grup terrorist është deklaruar të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Skënder Qerimi.
Ferizajasi, i njohur me nofkën “Ebu Dher”, ishte riatdhesuar në Kosovë verën e këtij viti, bashkë me 10 persona tjerë që mbaheshin në kampe në Siri nga Forcat Demokratike Siriane.
Me të arritur në vendlindje, 30 vjeçari nga fshati Muhovc i Ferizajt, u arrestua nga autoritet kosovare, dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, për t’u përballur me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën dyshimin se e ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, e dënueshme nga 5 deri në 10 vite burgim maksimumi.
Prokuroria pretendon se ferizajasi për 7 vjet rresht ka qenë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it, në qytetet Mosul, Zumer e Sedfaruk, e ku sipas tyre ka qenë i angazhuar edhe në Batalionin e Snajperistëve.
Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, thuhet se Qerimi udhëtoi për në Siri më 27 qershor 2014, së bashku me dy shokët e tij, poashtu nga Ferizaj, tashmë të deklaruar si të vdekur në luftime atje, Albert Ukzmjali dhe Valon Qukovci.
Aty përshkruhet se treshja rrugën për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS e bënë përmes Aeroportit shqiptar të Rinasit duke fluturuar deri në Stamboll të Turqisë, nga ku më pas përmes lidhjeve të caktuara arritën deri në qytetin Urfa, ku u pritën nga pjesëtarët e ISIS-it me të cilët depërtuan deri në qytetin Raka dhe u regjistruan për të vijuar tutje trajnimet fizike, taktike dhe luftarake si pjesë e organizatës terroriste që atë kohë e kishin nën kontroll pothuajse gjithë territorin e Sirisë dhe Irakut.
Në aktakuzë shpjegohet se Skënder Qerimi, që në atë kohë ishte vetëm 23 vjeç, luftën e tij për shtetin islamik e nisi me një pushkë automatike AK-47, e njohur si kallashnikov, duke arritur tutje që dy vjet më vonë të rekrutohet edhe si snajperist i Batalionit të Snajperistëve të kontingjentit “Ebu Abdurrahman El Beilavi” në brigadën “Dabik”.
Dëshmi për këto, prokurori special pretendon se ka gjetur në pakot e provave që ua ka siguruar Byroja Federative amerikane e Hetimeve – FBI. Në këto prova, në aktakuzën ndaj Skënder Qerimit, të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, përveç të dhënave që përshkruajnë identitetin e të akuzuarit dhe periudhën kohore shkurt 2016 deri qershor 2017 kur ishte i angazhuar si snajperist i ISIS-it, ka të dhëna të mjaftueshme dhe evidentohen edhe pagat mujore me të cilat u pagua kosovari dhe luftëtarët tjerë të bataljonit të cilit i ishte bashkuar i riu nga Ferizaj.
“Veçmas nga pakoja e provave të përshkruar si më lartë e të siguruara përmes rrugëve diplomatike në mënyrë mjaftë të qartë dhe bindëse vërtetohet aktiviteti kriminal i të pandehurit Skënder Qerimi në zonat e konfliktet në Siri ku përshkruhet saktë edhe përfshirja e tij si ushtarë në batalionin e snajperistëve me numër identifikues 1170016136, me emërtimin Skender Derk Zik Qerimi Kusufi, përkatësisht në kontingjentin “Ebu Abdurrahman El Bejlavi” në Brigadën “Dabik”. I njëjti sipas këtij raporti rezulton se ka marrë paga të rregullta mujore nga ISIS”, thuhet në aktakuzë.
Se ka marrë pagë mujore nga ISIS, Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit ua ka pohuar vetë Qerimi në deklaratat e tij të dhëna pas riatdhesimit në Kosovë, para se t’i ngritej aktakuza për terrorizëm.
Sipas tij, ai gjatë qëndrimit në Siri ka marrë nga 100 dollarë në muaj nga organizata terroriste për të qenë i angazhuar si roje në kampin ku ka qëndruar, duke mohuar tutje se ka marrë pjesë direkt në luftime dhe duke mos pranuar të ketë qenë pjesë e batalionit të snajperistëve.
Qerimi në deklaratën e dhënë në hetuesi ka pretenduar se “ekziston mundësia që përgjegjësit e batalionit të snajperistëve ta kenë vendosur gabim në regjistrat”, të cilat autoriteteve kosovare ua ka dorëzuar FBI.
Thotë se gjatë asaj kohe ka poseduar vetëm armën e zjarrit AK47 me katër karikator me municion.
“Mbrojtjen e të pandehurit se kinse në zonat e konfliktit në Siri ka bërë vetëm roje në një depo të armëve dhe municionit duke u arsyetuar se kinse është e mundur të jetë regjistruar gabimisht në batalionin e lartpërmendur e konsiderojmë jologjike, kontradiktore me gjendjen faktike si dhe me provat materiale të siguruara gjatë hetimeve. Andaj, edhe si e tillë është e koncentruar në shmangie të përgjegjësisë penale”, thotë në aktakuzë prokurori i shtetit, Afrim Shefkiu.
“Në këtë fazë, nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari Skënder Qerimi, të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi aktakuza ndaj tij u prezantua në seancën e shqyrtimit fillestar.
Në afat prej 30 ditësh, nga dje, i akuzuari përmes mbrojtësit të tij, mund të paraqes kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
I akuzuari për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 par 2 të Kodit Penal, më 17 korrik 2021 është riatdhesuar në Kosovë. Me marrjen e kontrollit të shumicës së ish-bastioneve të ISIS-it nga Forcat Demokratike Siriane ai iu ishte dorëzuar këtyre të fundit, para riatdhesimit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ishte vënë në ndjekje të ferizajasit qysh korrikun e vitit 2015, një vit pasi ai kishte shkuar në Siri, kur ishte lëshuar edhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj tij. Por, proceduarat për Qerimin ishin pezulluar deri verën e këtij viti kur ai u riatdhesua bashkë me 10 kosovarë tjerë nga Siria në Kosovë, kryesisht gra dhe fëmijë, për t’u mbajtur në paraburgim dhe për të vazhduar përballjen me drejtësinë kosovare.