Ardhja e Xavi Hernandez në krye të stolit të Barcelonës ka bërë që edhe dëshirat për merkaton e janarit të jenë të shtuara.
Planet e Xavi se si duhet të ndërtohet loja duket se nuk përshtaten aq mirë në fondin aktual të lojtarëve, prandaj përforcimet janë tejet të nevojshme. Një nga pikat kyçe ku duhet intervenuar janë krahët e sulmit të skuadrës.
Për këtë pozicion, tre janë alternativat që përmenden deri tani. Dani Olmo, Adeyemi dhe Ferran Torres.
E përditshmja spanjolle ‘Sport’ sot ka vendosur në ballinën e saj Ferran Torres, dhe shkruan se Barca ka gati 40 milionë euro për të.
Spanjolli nuk ka arritur të sigurojë pozitë në formacionin titullar te Pep Guardiola dhe njëkohësisht ka bërë të ditur për dëshirën e tij që t’i bashkohet Barcelonës.
Mediet deri më tani kanë raportuar se Ferran dhe Barca kanë marrëveshje. E vetmja gjë që mungon është pajtueshmëria e Manchester City për lëvizjen e lojtarit.
‘Citizens’ duan më shumë para dhe nuk janë të interesuar për lojtarë të përfshirë në marrëveshje. Barca ka ofruar shtatë emra si alternativa për t’iu bashkuar ofertës, varësisht nga pëlqimet e City. /albeu.com