Banka e Shqipërisë: Rezerva valutore arrin vlerën më të lartë historike

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë shënoi nivelin më të lartë historik në muajin tetor.

Sipas statistikave, ajo kishte vlerën e 4.2 miliardë eurove, në rritje me afërsisht 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithëse ka shënuar nivelin të lartë të arritur ndonjëherë, rezerva valutore e vendit pritet të rritet ndjeshëm pas tërheqjes së fondeve nga Eurobondi i emetuar në mesin e muajit nëntor.

Shqipëria arriti të shiste Eurobondin e parë me maturim 10-vjeçar në Bursën e Londrës, për një shumë totale prej afërsisht 650 milionë eurosh. Këto fonde mbahen në llogaritë e Bankës së Shqipërisë dhe regjistrohen si pjesë e rezervës valutore të vendit.

Qeveria ka bërë të ditur se fondet do të përdoren për mbulimin e deficitit buxhetor që do të krijohet gjatë vitit. Megjithatë, sipas një informacioni më të detajuar të Bankës së Shqipërisë, pjesa dërrmuese e fondeve do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të borxhit të jashtëm të maturuar.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar. Madhësia e rezervës valutore vlerësohet është e kënaqshme në raport me objektivat kryesorë të saj, një nga të cilët është mbulimi i katër muajve importe.

Për 10-mujorin e parë të këtij viti, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 520 milionë euro. Vlera e rezervës valutore në fund të muajit tetor do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar rreth tetë muaj importe apo dy herë më shumë se objektivi bazë. Rëndësia e rezervës valutore bëhet më e prekshme në kushtet e presioneve të rritur inflacioniste, që kanë gjasë të ushtrojnë trysni në drejtim të zgjerimit të deficitit tregtar dhe të nënçmimit të kursit të këmbimit të monedhës.

Zmadhimi i rezervës valutore bëhet kryesisht nëpërmjet ankandeve të blerjes së valutës në tregun vendas. Mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, gjatë këtij viti parashikohen blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove.

Blerjet e deritanishme gjatë këtij viti kanë arritur pranë vlerës së 90 milionë eurove. Por, madhësia e rezervës valutore ndikohet edhe nga ecuria e vlerës së tregut të instrumenteve në të cilat është investuar pjesërisht rezerva valutore, si për shembull obligacionet apo metalet e çmuara (kryesisht ari).

Në pjesën dërrmuese, rezerva valutore mbahet në obligacione dhe në depozita, ndërsa një pakicë konsiston në rezerva ari dhe të drejta tërheqjeje (SDR) në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka përfshirë edhe monedhën kineze dhe atë australiane në valutat e në të cilat mbahet rezerva valutore. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 Euro përbënte, 64.9% të rezervës valutore, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 19% dhe SDR me 5.8%./ Monitor.al

 


Shtuar 1.12.2021 08:41