Kanë vijuar akuzat në distancë mes dy partive opozitare, PD dhe LSI.
Pasi Gazment Bardhi pak më parë tha se ka qenë Monika Kryemadhi ajo që u ka premtuar qytetarëve se pas 25-Prillit do të jetë Ministre e Brendshme, ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit.
Kryemadhi reagoi përmes një statusi në Facebook, ku ka shpallur rikthimin e strukturave të partisë në Durrës që pas rezultatit të mëhershëm në zgjedhje.
Ajo shton se LSI ka humbur një mandat si rezultat i bashkëpunimit mes Bashës dhe Ramës.
Postimi i Plotë i Kryemadhit:
Rikthehem me kënaqësi në takim me ekipin e Durrësit, pas një analize të plotë që kemi zhvilluar, mbi arsyet dhe pasojat e masakrës zgjedhore të 25 Prillit.
Mandati i përfaqësimit në Kuvend, edhe pse ishte shprehur qartë nga qytetarët në kutitë e votimit, i’u mohua LSI-së në Durrës prej marrëveshjes së fshehtë të bashkëpunimit, që ekzistonte mes qeverisë dhe shtojcës së saj në radhët e opozitës së bashkuar.
Kjo është bërë e dukshme para, gjatë votimit, si dhe në çdo tavolinë të numërimit, ku interesi primar i bandës së inceneratorëve qeveri-opozitë, ishte mandati i kryeministrit në Durrës dhe vijimi i mandatit qeverisës.
Ne po ringrihemi më të fortë dhe të vendosur, e bashkë me qytetarët durrsak, me gratë, vajzat dhe të rinjtë energjik, do të përfaqësojmë siç duhet interesat e çdo banori të këtij qyteti të mrekullueshëm. Misioni për shtëpinë tonë të përbashkët, vijon dhe rëndësia e tij është sot më i madh se kurrë./albeu.com/