Ditën e sotme, në Elbasan u zhvillua mbledhja e 7-të e qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës ku u firmosën 16 marrëveshje mes dy vendeve.
Në fillim mbledhja ishte njoftuar se do të zhvillohej në Durrës, por disa ditë vendndodhja u ndryshua dhe u vendos të mbahej në Elbasan.
Si duket, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të çojë kabinetin e tij dhe ministrat e qeverisë së Kosovës në restorantin e biznesmenit Gjergj Luca, te “Fish City”.
Rama njihet për miqësinë me Lucën, dhe shpeshherë kanë zhvilluar takime miqësore dhe pune bashkë. Ndërsa ky i fundit është një person jo shumë i pëlqyer nga qytetarët shqiptarë.
Kujtojmë se së fundmi, kur u prezantua buxheti për peshkatarët, Luca shpërtheu në ofendime ndaj fermerëve që protestonin kundër paketës fiskale. Ai i quajti fermerët horra, ndërsa thoshte se duhet ta falënderojnë qeverinë për mbështetjen e dhënë, sipas tij 200 milionë euro në 4 vite.
Po ashtu Luca është etiketuar oligark nga disa figura politike, dhe këtë e ka pohuar dhe vetë duke thënë: “Ne jemi të gjithë oligarkë! Kush punon në këtë vend është oligark?!”.
Nuk dihet nëse kjo zgjedhje e Ramës për të çuar dy qeveritë në restorantin e Lucës ka qenë e qëllimshme./albeu.com