Ambasada e SHBA reagon për Reformën në Drejtësi, si e llogarit ajo progresin (FOTO LAJM)

Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një analizë të progresit të Reformës në Drejtësi gjatë pesë viteve të para.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ambasada, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se progresi i saj nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, por sipas saj, edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim.

“Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi.

Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu”, shkruan ambasada.

Reforma në drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u parapri nga debate të forta, dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA./albeu.com/


Shtuar 23.11.2021 19:01