13-vjeçari në Lushnjë u vetëvar për video në Tik-Tok, kë bën përgjegjës ministrja Kushi?

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku një 13-vjeçar u vetëvar dhe ndërroi jetë.

“Ngjarja e Lushnjës ku një fëmijë 13-vjeçar u vetëvar duhet të alarmojë të gjithë shoqërinë, familjen, shkollat e çdo institucion. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta”, u shpreh Kushi.

Kushi ka fajësuar orët e gjata e të pakontrolluara në internet të fëmijëve, si një nga shkaqet kryesore për të tilla ndodhi.

Edhe pse ngjarja është në hetim, deklaratat e shokëve kanë ngritur dyshimin se 13-vjeçari po përgatiste një video për tik-tok.

Ministrja tha se ka iniciuar një diskutim të gjerë për të marrë mendime se cilat janë rrugët e duhura për kontrollin e fëmijëve para rrezikut kibernetik.

Deklaratat ajo i bëri në Elbasan ku pati një takim me stafin akademik dhe studentët e Universitetit Aleksandër Xhuvani./albeu.com/


Shtuar 22.11.2021 12:15