Uashingtoni “seriozisht i shqetësuar” për praninë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka thënë se është “seriozisht i shqetësuar” për veprimet dhe deklaratat e Rusisë për Ukrainën, ndërsa tensionet në rajon rriten.

“Ne kemi shqetësime serioze për aktivitetet e pazakonta ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën. Jemi vërtet të shqetësuar për disa nga deklaratat që kemi parë dhe dëgjuar, si nga Rusia ashtu edhe në mediat sociale”, u tha Blinken gazetarëve në Dakar, ndalesa e fundit në turneun e tij në Afrikë.

Anthony Blinken shtoi se këto shqetësime vijnë nga aleatët amerikanë, por nuk iu përgjigj pyetjeve nëse shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se presidenti rus Vladimir Putin po kërkon të pushtojë territorin ukrainas.

“Nuk e dimë se cilat janë qëllimet e Presidentit Putin. Por ne dimë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Dimë strategjinë e referimit ndaj sfidave të supozuara të Ukrainës apo të ndonjë vendi tjetër dhe përdorimin e tyre si justifikim për planet e Rusisë”, tha Anthony Blinken.

Ai iu referua krizës së vitit 2014 në Ukrainë pas përmbysjes së qeverisë pro-perëndimore të Ukrainës. Po atë vit, Moska aneksoi Krimenë në përgjigje të një kryengritjeje pro-perëndimore.

Rajoni i Donbass në Ukrainën lindore ka qenë skena e një lufte rrënimi që nga viti 2014, me më shumë se 13,000 të vdekur midis forcave të Kievit dhe forcave separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore, të armatosura dhe të udhëhequra nga Kremlini, pavarësisht mohimeve të tij.

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të enjten perëndimorët për provokim të tensioneve në kufirin lindor të Ukrainës dhe në Detin e Zi. Ai gjithashtu akuzoi bombarduesit perëndimorë se “i afrohen Rusisë brenda 20 kilometrave”./albeu.com


Shtuar 20.11.2021 20:15