“Zagar”, Basha nxjerr provat në Kuvend: Turp si i drejtohet Rama qytetarit, mua nuk mi lejon edukata familjare

Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama për përdorimin e një fjalori banal në komunikimin me qytetarët.

Basha publikoi një audio të një telefonate ku pretendon se është kryeministri Edi Rama duke iu drejtuar një qytetari me fjalor banal. “Zagar”, dëgjohet ndër të tjera në audion e publikuar nga Basha.

“Kjo i jep mundësinë sharlatanëve në politikë të dalin dhe të hiqen si ëngjëj kur në fakt kanë qenë autorët e fjalorit më banal që mund të imagjinojë mendja njerëzore këtu në këtë sallë. Në emisionet televizive, madje edhe në komunikim me qytetarët. Nuk e kam fjalën këtu për kërcënime nga ato të parafolësit. I ka pasur biletën e hyrjes së tij në politikë. Një pjesë prej tyre sot janë nën dhe.  E kam fjalën për një mospërmbajtje me të vërtetë të përmasave jo njerëzore apo shtazërore. Ku ishte krejtësisht e panevojshme ndaj një qytetari të pambrojtur. Me fjalë që mua nuk m’i lejon edukata familjare”, tha Basha.

Ai deklaroi se Rama kënaqet duke u shkaktuar qytetarëve vuajtje pa fund dhe duke çuar në emigracion gjysmën e shtresës së mesme për t’i zëvendësuar ata me trafikun e drogës.

“Ky ishte kryeministri i vendit. E dini se çfarë është më e turpshmja. Mjafton të shkruash Edi Rama fjalor banal dhe mund të shohësh gjithë natën fjalë banale të nxjerrja nga goja e kryeministrit. Sot thotë se nuk e ul dot veten. Ku ta ulësh më shumë se sa e ke ulur. Ti kënaqesh duke u shkaktuar qytetarëve vuajtje pa fund. Ti e çon në emigracion gjysmën e shtresës së mesme. Zëvendëson punën e ndershme me trafikun e drogës dhe pastaj thua po ta ul pak.

Ta ka thënë një nga mediat më të ndritura bashkëkohore. Është si ai sadisti që të mban në dyllin e nxehtë që t’i thuash faleminderit kur ti nuk e torturon më. Sadizmi politik ishte sistemi që mbante Enver Hoxha për të terrorizuar qytetarët. Ky je ti dhe mjafton google Edi Rama, fjalor banal. Kësaj ti nuk i fshihesh dot. Në këto moment zyra jote e propagandës të shikojë mënyra për ta bllokuar”, tha Basha./albeu.com/

 


Shtuar 16.11.2021 18:45