Shtatë kongresistë amerikanë ia kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, përmes së cilës i kërkojnë që të vendos sanksione ndaj atyre që e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti është i nënshkruar nga kongresistët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.
Në qendër të kritikave të kongresistëve është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.
“Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për një të ardhme shpresëdhënëse për Serbinë dhe popullin serb. Për fat të keq, për të arritur në atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga SHBA-ja dhe nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë në veçanti janë vendimtare për t’u siguruar që Serbia mund të jetë efektive në zbatimin e reformave demokratike, duke bërë këtë, ata do të jenë në gjendje të përmirësojnë marrëdhëniet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, thuhet në letër.
Në letër i bëhet thirrje Bidenit që ta shqyrtojë përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, për t’ua bllokuar pronat dhe për t’ua ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.
“Ne ju bëjmë thirrje ta konsideroni përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, “Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, aty ku është e përshtatshme, për të nxitur për një qeveri serbe më transparente dhe të përgjegjshme që respekton demokracitë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, thuhet më tej në letër, transmeton KP.
Po ashtu, në letër theksohet se liria e medies nuk është vetëm një vlerë kyçe amerikane e përfshirë në Kushtetutë, por se kjo çështje është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme të Uashingtonit dhe për luftën kundër autoritarizmit në mbarë botën.
“Fatkeqësisht, liria e medias në Serbi ka arritur një nivel të ulët. Siç vërejnë Reporterët pa Kufij: “Serbia është një vend ku gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare. Është gjithashtu e qartë se mediat pro-qeveritare po bëjnë përparim dhe janë në një marrëdhënie reciproke të dobishme me qeverinë”, thonë kongresistët amerikanë.
Letra e plotë:
Jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale humanitare dhe politike në Serbi dhe ndikimin që mund të ketë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën në tërësi. Siç thatë gjatë një vizite në gusht 2016 në Beograd, Serbi, “është jashtëzakonisht në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që populli i Serbisë të jetë në gjendje të rritet dhe të përparojë.” Prandaj, ne inkurajojmë administratën tuaj të angazhohet me Presidentin Aleksandar Vuçiq për të luftuar korrupsionin dhe sulmet ndaj lirisë së shtypit, të cilat, që të dyja janë kritike për një Serbi prosperuese dhe demokratike, dhe për aspiratat e saj për Bashkimin Evropian.
Ne ju bëjmë thirrje të konsideroni përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, “Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, aty ku është e përshtatshme, për të nxitur për një qeveri serbe më transparente dhe të përgjegjshme që respekton demokracitë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Liria e shtypit nuk është vetëm një vlerë qenësore amerikane e garantuar me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme të SHBA-së dhe për të kundërshtuar autoritarizmin në mbarë botën. Siç deklaruat në fund të vizitës suaj të vitit 2016 në Beograd, “Kombet janë më të fortë kur dëgjojnë nga shumë zëra”. Fatkeqësisht, liria e shtypit ka arritur një pikë të re të ulët në Serbi, siç theksojnë Reporterët pa Kufij: “Serbia është një vend ku gazetarët i nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare. ” Është gjithashtu e qartë se mediat pro-qeveritare po përparojnë dhe janë në një marrëdhënie reciproke përfituese me qeverinë.
Në një shembull flagrant, RTV Pink, transmetuesi më i madh privat në Serbi, ka marrë të paktën 7 milionë euro kredi qeveritare ndërmjet 2014 dhe 2016. Vitin tjetër, kur presidenti Vuçiq kandidoi për president, RTV Pink i ofroi fushatës së tij dukshëm më shumë kohë transmetimi sesa të gjithë kundërshtarëve e tjerë së bashku. Madje edhe marrëveshjet e rrjetit shtetëror Telekom janë të fshehta. Marrëveshjet ndërmjet qeverisë dhe medias dëmtojnë normat demokratike, ua mbyllin gojën kritikëve dhe fuqizojnë individët e korruptuar. Ne inkurajojmë administratën tuaj të punojë me President Vuçiq dhe të tjerët për të lejuar të gjitha burimet e medias të përparojnë dhe të mbulojnë lajmet në mënyrë të barabartë dhe të paanshme Siç thatë në vitin 2016, “këta zëra duhet të mbrohen dhe respektohen”.
Administrata juaj gjithashtu duhet të vazhdojë të angazhojë qeverinë serbe për çrrënjosjen e korrupsionit. Qeveria e ShBA ka qenë prej kohësh lideri global në mbështetjen e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin qeveritar duke vendosur standarde të larta për praktikat e biznesit dhe prokurimit – dhe ne jemi të kënaqur që lufta kundër korrupsionit do të jetë një nga fokuset e Samitit të ardhshëm të Demokracive. Politikat tona dhe kërkesat përmbajtësore kanë çuar në një rritje ekonomike dhe rritje të besimit në ekonominë e SHBA.
Fatkeqësisht për popullin e Serbisë, raportet kanë treguar se presidenti Vuçiq e ka thelluar korrupsionin brenda Serbisë, duke përfshirë përdorimin e krizës COVID-19 si një justifikim për të fshehur shpenzimet e qeverisë dhe prokurimin e PPE dhe ventilatorëve. Presidenti Vuçiq shkoi aq larg sa tha në Radio Televizionin e Serbisë, se derisa e gjithë bota kërkonte ventilatorë, Serbia po i siguron ato, “gjysmë legalisht”.
Ne besojmë se administrata duhet të ndërmarrë veprime të shpejta për të zmbrapsur korrupsionin ekzistues dhe sulmet e mëtejshme ndaj lirisë së shtypit në Serbi. Serbia planifikon të organizojë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare pranverën e ardhshme. Ne kërkojmë nga administrata juaj që ta mbajë Serbinë përgjegjëse për standardet më të larta të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke përfshirë periudhën e fushatës përpara zgjedhjeve dhe vetë numërimin e votave.
Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për një të ardhme shpresëdhënëse për Serbinë dhe popullin serb. Për fat të keq, për të arritur në atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë në veçanti janë vendimtare për t’u siguruar që Serbia mund të jetë efektive në zbatimin e reformave demokratike, duke bërë këtë, ata do të jenë në gjendje të përmirësojnë marrëdhëniet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Antarët e Kongresit:
Raja Krishnamoorthi
Ritchie Torres
David N. Cicilline
Jan Schakowsky
James P. McGovern
Mike Quigley
Jim Costa.
/gazetaexpress/