Në meshën e mbajtur me rastin e Pashkëve, Papa Francesku ka bërë thirrje që në fushatën ndërkombëtare të vaksinimit, vonesat në prodhimin e vaksinave të tejkalohen, dhe shpërndarja e tyre të rritet, veçanërisht për vendet e varfra.
“Të gjithë, veçanërisht njerëzit më të brishtë kanë nevojë për asistencë, dhe kanë të drejtën për të pasur akses në kurat e domosdoshme”, tha ai.
Ati i Shenjtë ka shtuar se situata e kësaj periudhe është një skandal. “Ndërsa emergjenca shëndetësore vazhdon dhe kriza ekonomike po thellohet, luftërat nuk po ndërpriten, përkundrazi, vendet që po armatosen po shtohen, tha Papa.
Më tej Papa bëri thirrje qeverisë italiane që të ndihmojë personat e goditur rëndë nga pandemia, që ka shtuar dramatikisht numrin e të varfërve dhe dëshpërimin e qindra-mijëra njerëzve. Gjithashtu ka theksuar se është pranë të rinjve, në një periudhë ku mërzia e tyre është rritur ndjeshëm nga mos frekuentimi i shkollës dhe i miqve.
“Të gjithë kemi nevojë të jetojmë marrëdhënie njerëzore reale dhe jo vetëm virtuale, veçanërisht në moshën kur formohet karakteri dhe personaliteti”, theksoi ai.
Ati i Shenjtë nuk la pa përmendur edhe të rinjtë në Mianmar, të cilët prej kohësh janë angazhuar në zhvillimin e demokracisë në vend, duke e bërë zërin e tyre të dëgjohet në mënyrë paqësore, me dijeninë sipas Papës, se urrejtja mund të luftohet vetëm me dashuri.