Shqipërisë po i largohet “truri”, ekspertët: 250 mijë të pakualifikuar, çfarë rrezikon ekonomia vendase

Edhe në dekadën e tretë fati i shqiptarëve, që emigrojnë në tokë të huaj e i’a dalin të qëndrojnë atje, mbetet në shumicën e rasteve i papërcaktuar. Referuar të dhënave të INSTAT për vitin 2020, nga emigrantët shqiptarë vetëm 39 për qind kanë mundur të gjejnë një mundësi punësimi. Ndërsa 10,1 për qind janë deklaruar si të papunë, më shumë se gjysma rezultojnë inaktivë. E pavarësisht kësaj, puna në Shqipëri për ta mbetet demotivuese. Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, shpjegon për “Vetting” ndikimin e pagave të ulëta në vend, në dëshirën e më shumë se 80 përqind të të rinjve që insistojnë të emigrojnë në vend të huaj.

“Duket që pas vendeve që janë në luftë, në gjendje konflikti, siç janë vendet e Afrikës e Veriut, rajoni i Ballkanit ka manifestuar në mënyrë konsistente gjatë viteve të tranzicionit një potencial të lartë migrator. Ku sigurisht që Shqipëria ka spikatur edhe në raport me ta. Mendoj se kjo në radhë të parë, i dedikohet politikave të tregut të punës. Nëse shqyrtojmë diferencën e nivelit të pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, Shqipëria ka një diferencë pagash negative, që variojnë që nga 180 euro më pak që është Kosova, deri në 300 euro më pak siç është Mali i Zi. Dinamikat e tregut të punës në Shqipëri nuk kanë mundur që të ofrojnë nxitje të nevojshme për forcën punëtore e në veçanti për të rinjtë, që të integrohen edhe te ndërtojnë një të ardhme më të mirë ekonomike. Mendoj se me nivelin aktual të pagave, kërkohet një periudhë e gjatë kohe për shlyerjen investimeve të tyre për edukim. Me pagat minimaliste që ata e fillojnë karrierën e tyre në tregun e punës kanë të vështirë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë edhe të kenë edhe kushtet për të ndërtuar një familje” shprehet Xhepa.

Është e qartë se politikanët që e kanë udhëhequr Shqipërinë, jo vetëm që nuk kanë arritur të afrojnë specialistë të formuar jashtë, por e kanë shndërruar në një vend “eksportues” të kësaj kategorie. Të dhënat e publikuara nga Banka Botërore gjatë vitit 2019 në raportin “Migrimi dhe rrjedhja e trurit’ dhanë një tjetër sinjal alarmi. Mes 47 shteteve,  Shqipëria renditej e dyta sa i përket numrit të emigrantëve me arsim të lartë që largohen nga vendi. Siç shpjegon Gëdeshi, ky është një fenomen që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera.

“Në rast se do të flasim për emigrimin “e trurit” siç quhen personat me arsim të lartë por ky koncept mund të jetë edhe më i gjerë nëse do të fusim edhe personat që kanë një kualifikim, dmth që kanë një profesion, pavarësisht se mund të mos kenë arsim të lartë. Ky është në tipar i ri i emigracionit tonë, veçanërisht në dekadën e tretë, në dekadën e shkuar. Dhe vlerësohet se 40 përqind e flukseve të emigrimit që kanë ndodhur në dekadën e tretë, kanë qenë në kategorinë “rrjedhje e trurit”. Pra, persona me arsim të lartë. Ndërsa 20 përqind kanë qenë me arsim profesional . Dhe në këtë drejtim Shqipëria dallon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dmth Shqipëria në dallim  nga të gjitha vendet e tjera, ku ndodh që kthehen personat me arsim të lartë, nga Shqipëria largohen personat me arsim të lartë. Ky largim sigurisht ka pasoja ekonomike sociale, sepse ikën pjesa ose si të thuash elita e vendit nga pikëpamja arsimore, por po kështu edhe nga pikëpamja e kualifikimit profesional ikën pjesa më e mirë. Pra ka ritme shumë të larta veçanërisht në dekadën e kaluar. Dhe kjo sigurisht që kërkon zgjidhje, zgjidhje që janë afatgjata”, shpjegon Gëdeshi.

Shkollat profesionale që qeveria aktuale rendit si një prej sukseseve të saj të radhës, përgatisin të rinj që kanë si perspektivë emigracionin. Ndërsa 50 përqind e të rinjve shqiptarë, sipas “Deloitte”, duan të punojnë në kompani të huaja, vetë investitorët e huaj stepen për të marrë nisma biznesi në Shqipëri për shkak të mungesës së profesionistëve. Sipas raportit “Hapat e Parë në Tregun e Punës 2020”, 86.3% e të rinjve duan të ikin nga vendi për shkak të nivelit të pagave, mungesës së vlerësimit, nepotizmit dhe militantizmit. Në këto rrethana Xhepa shpjegon se cila kategori do të mbetet në vend.

“Sa i përket të rinjve që janë në Shqipëri, rreth 250 mijë prej tyre s’janë as të kualifikuar, as në tregun e punës dhe as ndjekin sistemin arsimor. Ai potencial pune që është në Shqipëri është i pakualifikuar për t’iu përgjigj stadit ekonomik dhe zhvillimit të teknologjisë që ka Shqipëria sot. Ç’ka do të thotë se potenciali për rritjen e produktivitetit të ekonomisë, që është “thembra e Akilit” në zhvillimin e ekonomisë së vendit edhe ndryshimin e ritmit të rritjes së ekonomisë, do të jetë përsëri me probleme serioze në vitet në vazhdim”, shprehet Xhepa./Abcnews.al/