Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të vijojë të mbetet në paraburgim pas vendimit më të fundit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit hodhi sot poshtë apelin e parashtruar nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi më 16 gusht 2021 kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake mbi rishikimin e mbajtjes së tij në paraburgim, të datës 23 korrik 2021.
Lajmi është bërë i ditur me anë të vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale. Sipas Apelit, Thaçi ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet.
Vendimi i Gjykatës së Apelit, bashkë me mendimin pjesërisht mospajtues të gjykatëses Nina Jorgensen, ndodhet i plotë këtu.
Në paraqitjet e tyre të para para gjykatës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./albeu.com/