Prof. Lisen BASHKURTI
Mbas shtatë vitesh rropatje portave të BE për hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe BE tanimë po duket se konferenca e parë ndërqeveritare që hapë dyert e këtij procesi të shumëpritur po troket në derë. Progres-Raporti për Shqipërinë i Komisionit Evropian, i bërë publik këto ditë është shpresë-dhënës. Këshilli Evropian në Progres-Raportin për negociatat në vendin tonë shprehet se “Shqipëria ka bërë progres duke përmbushur kushtet e vendosura”. Më tej, KE thekson se “Shqipëria ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme duke vijuar përkushtimin ndaj reformave të orientuara drejt BE-së”. Gjithashtu Progres-Raporti thekson se se Shqipëria…”ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare”.
Sic dihet tanimë, në tetor të vitit 2020 Komisioni Evropian miratoi paketën e zgjerimit duke vlerësuar se kushti që lidhej me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ishte afër përmbushjes, ndërsa të gjitha kushtet e tjera që duheshin plotësuar para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, sipas KE-së ishin përmbushur. Tashmë, Gjykata Kushtetuese është funksionale, duke filluar nga dhjetori 2020. Krahas kësaj “Shqipëria ka vazhduar të plotësojë të gjitha kushtet e tjera dhe ka bërë përparim të mëtejshëm të konsiderueshëm, të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve të tjera të theksuara nga Këshilli.” Progres-Raporti i negociatave gjithashtu përmend edhe ndihmën që BE dha për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe për Shqipërinë, lidhur me përballimin e pandemisë.
Progres-Raporti i tetorit 2021 vjen pas Samitit të Brdos në Slloveni, ku Bashkimi Evropian riafirmoi mbështetjen e tij për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpriti angazhimin e partnerëve nga ky rajon në perspektivën evropiane.
1. Vlerësim mbi baza individuale apo në grup!?
Hapjen e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian po e mban peng për faktin se Bullgaria i ka vendosur veton Shkupit për aspekte bilaterale që lidhen me identitetin kombëtar dhe gjuhën në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, BE ka vendosur që marrja e vendimit për hapjen e negociatave dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare Shqiëri-BE për këtë qëllim do të jetë bashkë me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo që kjo të mund të realizohet kërkohet që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemet identitare e gjuhësore midis tyre.
Është e kuptueshmë dhe logjike që aspektet identitare dhe gjuhësore janë shumë të thella dhe komplekse. Ato nuk mund të marrin zgjidhje të plota e shterruese në një kohë të shkurtër. Kjo do thotë se, pavarësisht vullnetit politik të të dy palëve, zgjidhja e kontestit të Sofies për Shkupin është krejtësisht e paqartë. Kjo paqartësi mund të krijojë të papritura për Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave me BE. Në këtë kuadër, nëse Shqipëria progreson në rrugën drejt BE, nuk është e drejtë, e arsyeshme dhe as e dobishme që ajo të mbahet peng i bllokimit bilateral Bullgari-Maqedoni e Veriut.
Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira bilaterale me Maqedoninë e Veriut, prandaj ajo nuk e ka kontestuar asnjë herë lidhjen që BE ka bërë midis saj dhe Shkupit zyrtar për hapjen e negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për këtë qëllim. Mirëpo, këtu shtrohet një qështje serioze parimore, që lidhet me kriteret e vlerësimit të vëndeve kandidate për antarësim në BE.
Bazuar në Traktatin themelor të Bashkimit Evropian procesi i vlerësimit të cdo vëndi kandidat në rrugën e progresit drejt antarësimit të plotë në BE bëhet mbi baza individuale, dhe jo në grup. Ky parim juridik i Traktatit themelor të BE nuk ka ndryshuar dhe si i tillë lypet të respektohet rigorozisht nga organizata për cdo rast të vecantë. Për këtë asrye, pavarësisht sesi do shkojë kontesti bilateral Bullgari-Maqedoni e Veriut, vlerësimi i rastit të Shqipërisë lypet të bëhet mbi parimin e Traktatit themelor të BE, pra mbi baza individuale.
2. Luftrat në Jugosllavi dhe reformat e thella të tranzicionit për Shqipërinë
Shqipëria ka një histori të vështirë me BE. Vëndi firmosi i pari marrëveshjen tregëtare me BE në vitin 1992. Mirëpo, kjo marrëveshje nuk u realizua sepse filluan luftrat politike e ndëretnike në ish Jugosllavi dhe i gjithë Ballkani u shndërrua në një zonë lufte dhe destabiliteti.
Luftrat në ish Jugosllavi nuk kishin të bënin fare me shtetin Shqiptar si entitet politiko-juridik. Ndërkohë që shqiptarët si entitet etno-kulturor ishin tërësisht të përfshirë në këto trazira në Kosovë, më vonë në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës. Mirëpo, kriza e ish Jugosllavisë e bllokoi tërësisht edhe në Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE. Vëndi filloi të paguante sanksionet e Jugosllavisë në mënyrë indirekte. Pra, luftrat në ish Jugosllavi e shtynë paqartësisht perspektivën Evropiane të Shqipërisë për afro dhjetë vjet.
Nga viti 1999 e më pas Ballkani nisi procesin e stabilizimit, që u karakterizua me ulje-ngritje e anomali të shumta. Në këtë proces stabilizimi Shqipëria u ankorua serish në procesin e integrimit në BE. U hodhën hapat e një pas njëshëm nga Procesi i Stabilizim Asocimit, tek Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, prej aty te liberalizimi i vizave dhe më tej aplikimi për statusin e vëndit kandidat. Shqipëria arriti që në vitin 2014 të bëhej vënd kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë vëndi ka ndërmarrë reforma shumë të mëdha, të thella dhe, pse jo, edhe shumë të guximshme. Ndër to spikatë reforma në drejtësi, më radikalja në të gjithë Ballkanin Perëndimorë. Reforma në drejtësi ka filluar të japë impakte pozitive në demokraci, në sundimin e ligjit, në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe në ekonominë e tregut të lirë. Vettingu ka seleksionuar afro gjysmën e trupës gjyqsore e prokuroriale. Janë krijuar organet e reja vetëqeverisëse si KLP, KLGj e KED të sistemit të drejtësisë. Janë themeluar gjithashtu organet speciale për luftën ekundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar si SPAK, Gjykata Speciale Kundër Krimit të Korruspionit dhe BKH. Është konstituuar Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe po vijohet me tërë procesin e reformimit të drejtësisë.
Natyrisht efroma në drejtësi ka pasur probleme të shumta, vështirësi paparishikueshmëri, devijime, boshllëqe, vakume e vonesa në dhënien e drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit ndaj qytetarëve. Me rëndësi është fakti që tani reforma po ecën në rrugën e duhur. Opinioni publik e ka mirëpritur këtë reformë. Partnerët ndërkombëtar, ShBA dhe BE e ka në mbështetur fuqishëm atë.
Në këtë fazë kritike, me arritje dhe sfida Shqipërisë i nevojitet hapja e negociatave për antarësim me BE. Përse?
3. Hapja e negociatave saktëson agjendën e vëndit
Në këto vite tranzicioni demokratik dhe rrugëtimi drejt BE, Shqipëria ka pasur shumë ulje-ngritje, ecje përpara dhe kthime prapa, devijime dhe shmangje nga rruga Evropiane. Politika shqiptare jo kurdoherë ka qënë konsistente dhe ekzigjente në përmbajtjen e agjendës Evropiane. Si në reformat e brëndshme, në mënyrën qeverisëse, në mungesën e transparencës, llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe gjithë përfshirjes, në nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në shmangjet demokratike dhe dukuritë e autoritarizmit, në kaosin ekonomik dhe social, apo edhe në politikën e jashtme dhe luhatjet gjeopolitike-Shqipëria ka vuajtur mungesën e agjendës së qëndrueshme Evropiane.
Hapja e negociatave të BE me Shqipërinë e qartëson, e konsolidon dhe në një farë mënyre e imponon në formë strikte agjendën Evropiane të Shqipërisë. E futë politikën shqiptare në shinat e BE. I dikton vëndit rrugën që duhet të ndjekë dhe hapat që duhet të bëjë. Mënjanon luhatjet, devijimit, shkapërderdhjet e politikës. Eviton agjendat ad hok. Qartëson konsistencën e objektivave madhore dhe prioriteteve kryesore. Vëndi vihet në binarë të pandryeshueshëm dhe të pakthyeshëm Evropian.
4. Hapja e negociatave përmirëson qeverisjen. stabilizon administratën, ngre kapacitetet
Bashkimi Evropian është makineri gjigande, plot burokraci dhe kapacitete të larta e të specializuara. Në makinerinë e BE ka mijra ‘butona’ që duhen ditur ku janë, se si dhe kur duhet shtypur për të funksionuar. Në rrugëtimin negociues Shqipëria do jetë e detyruar të përmirësojë qeverisjen, të konsolidojë administratën publike bazuar në meritokraci, jo në partitokraci, nepotizëm apo grupe interesi.
Meritokracia e rregulluar me ligje e rregulla, me standarte dhe kritetere të qarta e të pandryshueshme Evropiane për rekrutimin, trajnimin, karrierën, promovimin është alarm për Shqipërinë. Konsolidimi i administratës dhe i kapaciteteve njerëzore meritokratike dhe rigorozisht profesionale janë emergjente për të rritur aftësinë ligjzbatuese dhe politikë-implimentuese në vënd. Procesi i negociatave i bazuar në kapitujt e vecantë të procesit do të bëjë që sistem pas sistemi e sektor pas sektori në të gjitha fushat e nivelet qeverisëse në vënd të kalojnë në filtrat e BE.
Shqipëria ka nevojë për standartizim, stabilizim, kualifikim e trajnime permanente të administratës dhe agjensive ligj-zbatuese e politikë-implimentuese në gjithë vëndin. Negociatat janë e vetmja dhe rruga më e mirë për të arritur një administratë të qëndrueshme, me meritokraci, aftësi e kapacitet.
5. Hapja e negociatave rritë burimet financuese
Bashkimi Evropian është organizata më e pasur në botë. Kontinenti Evropian njihet si më i zhvilluari. Konsumatori Evropian është gjithashtu më i shtrenjti në botë. Kjo do thotë se BE është ‘një bankë e madhe’, plot burime e mundësi financiare për vëndet antare dhe qytetarët e vet kudo në Evropë.
Mirëpo, në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian është hapsira me rregullat finaciare më strikte në botën e sotme. Politikat financiare dhe monetare, sidomos mbas krijimit të euros dhe të konsolidimit të eurozonës në BE janë tejet strikte, transparente dhe eficente. Cdo euro në hapsirën e eurozonës është e mirë-administruar, ndiqet me rigorozitet dhe matet në efikasitetin e saj deri në fund. Kjo ndodh se në thelb Bashkimi Evropian është organizatë ekonomike e tregëtare e pastaj politike. Madje në nivele globale Bashkimi Evropian njihet vetëm si entitet i tillë ekonomiko-tregëtar.
Duke qënë një organizatë tejet e pasur dhe efikatëse BE ka mundësi të mëdha, por edhe efikasitet të lartë në financime sidomos për vëndet që janë kandidatë potenciale për në BE. Në mënyrë të vecantë, procesi i financimit të vëndeve kandidate potenciale për në BE rritet së tepërmi kur fillon procesi i negociatave.
Procesi i negocimit zhvillohet kapitull pas kapitulli, sistem mbas sistemi dhe sektor mbas sektori. Edhe burimet e financimit ecin në këtë mënyrë. Pra, negociohet legjislacioni, ndërtimi institucional, kapacitetet administrative dhe njerëzore, zbatimi i ligjit dhe implementimi i politikave dhe paralelisht jepen burimet financiare të nevojshme që sistemet dhe sektorët e negociuar të mund të përfitojnë nga burimet financiare të BE.
Duke u rritur numri i kapitujve të mbyllur të negociatave zgjerohet edhe sasia e financimit. Në këtë rrugë BE i mëson, i financon dhe njëkohësisht i përgatitë vëndet kandidate për antarësim të plotë dhe shtrirjen e tregut të vet në hapsirat e vëndeve kandidate. Në njëfarë mënyre të dy palët në bisedime, BE në njërën anë dhe vëndet kandidate nga ana tjetër, përgatiten për ‘martësën’ midis tyre, që do arrihet me mbylljen e negociatave dhe antarësimin e plotë të vëndit kandidat në BE.
Shqipëria ka shumë nevojë për financime nga BE. Ekonomia shqiptare ka thellësisht kërkesa për para. Zhvillimi don burime të shumta nga Evropa. Hopit të kërkuar i nevojiten investime Evropiane në cdo fushë e sektor. Natyrisht ky fluks financimi i madh dhe në rritje shkon paralelisht me legjislacionin, ngritjen e institucioneve, sundimin e ligjit, mirëqeverisjen, konsolidimin dhe profesionalizmin e administratës publike, efikasitetin e burimeve njerëzore dhe përgatitjen e tregut të lirë e kompetitiv të nivelit dhe standartit Evropian. Gjithcka vjen hap pas hapi, fushë mbas fushe e sektor mbas sektori, duke përfshirë kështu cdo celizë të shoqërisë shqiptare dhe duke sjellë përfitim për cdo qytetar të vëndit.