Zv/kryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “LOG” në “ABC” pavarësisht se Vetëvendosje nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë u shpreh se partia e saj nuk ka rënie. “Po të shihni sondazhet nuk e konfirmojnë që mund të ketë rënie të Vetëvendosjes apo pakënaqësi me punën.
Zgjedhjet komunale kanë specifikat e veta, po ti krahasoni me të 2017, do të shihini që rënie nuk ka, por po të shihni dinamikën e 6 muajve të fundit dhe raundin e parë, rezultatin duhet ta llogarisni në fund” tha ajo. Sa i përket rezultateve të PDK-së dhe LDK-së Donika Gërvalla tha se “kanë rrugë të gjatë për të dëshmuar që janë në rrugën e reformimit”.
Gjatë takimeve sot në Tiranë, Donika Gërvalla kërkoi krijimin e një aleance ballkanike kundër Serbisë. Shefja e diplomacisë së Kosovës e cilësoi Serbinë kërcënim, jo vetëm për Kosovën.
“Serbia është kërcënim për rajonin jo vetëm për Kosovën. Edhe për Bosnjën. Serbia është shumë agresive ka destabilizuar situatën në Malin e Zi, është një faktor jo stabiliteti dhe duhet të angazhohemi më mirë” tha ajo.
E pyetur nëse ndjen se Shqipëria ka një qasje tjetër ndaj Serbisë, Donika Gërvalla u ndal te nisma “Open Ballkan” si pika e vetme që ndan palët dhe e cilësoi shinë paralele të Procesit të Berlinit. “Shinat alternativa nuk janë të nevojshme” tha ajo.