Skandal! Historia e klasës së katërt ilustron fshatin me lagjen e VIP-ave (FOTO LAJM)

Një foto që po qakullon masivisht në rrjete sociale është faqja e një mësimi në librin e Historisë së klasës së katërt, ku tregon se çfarë është fshati.

“Dikur fshatrat qeveriseshin si komuna, ku disa fshatra përbënin një të tillë. Ditën e sotme ato janë bërë pjesë e bashkive të mëdha. Drejtuesit e bashkive për t’u kujdesur për fshati, caktojnë një administrator. Rruga automobilistike të çon drejt e në qendër të fshatit. Me rrugë të asfaltuara ai lidhet jo vetëm me qytetin, por edhe me fshatra të tjera. Pothuaj të gjitha shtëpitë e fshatit janë bërë të reja. Në qendër të fshatit është shkolla dhe qendra shëndetësore. Banorët atje janë dashamirës edhe me çdo kalimtar. Fshati është vërtet i bukur dhe atje jetohet mirë”, thuhet në librin me autorë Roland Gjini dhe Liljana Melani Gjini, për fshatin.

Ajo që nuk shkon është fotoja ilustruese, e cila nuk përkon me realitetin.

Në vend që, autorët e librit, të vënë një fshat tipik shqiptar, pa infrastrukturë dhe mes natyrës, ata kanë vënë një foto të lagjes së vipave dhe politikanëve që ndodhen në një zonë periferike të Tiranës.

Si duket, pas shkrimit tekstet nuk i kontrollon askush. Kjo është provuar dhe më parë ku një tekst mësonte fëmijët sesi të sëmureshin duke konsumuar ujë me shkumës, për të mos shkuar në shkollë.


Shtuar 16.10.2021 08:46