Fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në momentin e përcjelljes drejt Italisë të 30 mjekëve dhe infermierëve ka mallëngjyer shumë italianë.
“Nuk jemi të pasur, por as nuk harrojmë. Ju na mirëpritët dhe ne nuk e braktisim mikun në vështirësi”, u shpreh Rama.
Tuttosport i ka marrë një intervistë ekskluzive Ramës dhe e ka përzgjedhur si artikull kryesor, duke zënë vendin kryesor në faqen e parë të gazetës torineze. “Mbështet Juventusin dhe Italinë”, shkruhet në titullin kryesor.
Më pas, nëntitull, citohen fjalë të tjera të Ramës: “Ne ndjehemi pjesë e vendit tuaj. Virusi mundet me metodën e Arrigo Sacchi: Të mëdhenjtë e vendosin veten në shërbim të grupit. Ronaldo Dhe Buffon janë njerëz që i admiroj, pasi kanë një zemër të madhe”.
Mes të tjerash, në intervistë Rama shprehet: “Mbështes skuadrën e Juventusit, është shëmbëllimi i shpirtit fitues, edhe nëse të gjithë e kundërshtojnë. Ronaldo e Buffon janë fëmijë kolosalë. Ata kurrë nuk e harrojnë se nga vijnë”.