Dy shtetas me origjinë shqiptare janë dënuar me 8 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar.
Akuzat që rëndojnë mbi ta janë disa, duke filluar që nga kultivimi i lëndëve narkotike e mirëmbajtja e shtëpive të barit, armëmbajtje pa leje, konflikte me persona të tretë, etj.
Një Gjykatë në Leicester të Britanisë së Madhe, ka dënuar me 8 vite burg në total, dy shqiptarët, Orland Aliun dhe Xhelai Islamin.
Sipas mediave britanike, 24-vjeçari Aliu është dënuar me 5 vite e dy muaj burg, ndërsa Islami me 2 vite e gjysmë.
Dy burrat, akuzohen për kultivim kanabisi, në një “shtëpi bari” në zonën e Leicester. Gjatë bastisjes së efektivëve, atyre iu gjetën plot 550 bimë lëndë narkotike.
Disa persona tentuan që të hynin me forcë në banesën ku kultivohej lënda narkotike ku dyshohet se kanë qenë anëtarë të një bande rivale në tregtimin e drogës.
Fillimisht ata janë përleshur me dy shqiptarët në një lokal. Të rinjtë shqiptarë u larguan nga vendngjarja, por polcia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e tyre përmes kamerave të sigurisë.
Autoritetet gjithashtu zbuluan shtëpinë ku kultivohej lënda narkotike, ku brenda saj sekuestruan dhe një armë gjahu. Ka qenë pikërisht arma që bëri “lidhjen” mes kultivimit të drogës dhe shqiptarëve.
Kjo pasi në xhepin e Aliut u gjet një gëzhojë arme që korrespondonte me ato të armës së gjetur brenda shtëpisë së barit.
Gjithashtu nga këqyrja e telefonit të të riut, u gjetën dhjetëra foto teksa ai pozonte me armë të ndryshme./albeu.com