Rusia mban zgjedhjet parlamentare pas shtypjes së pashembullt të opozitës

Rusët në Lindjen e Largët filluan të votojnë në zgjedhjet parlamentare treditëshe, në të cilat kritikëve të zëshëm të Kremlinit iu ndalua të kandidojnë, pas një goditjeje historike kundër opozitës.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vendin më të madh në botë, të shtrirë në 11 zona kohore, filluan në orën 8 të mëngjesit të së premtes. Kështu, ndërsa moskovitët përgatiteshin për të shkuar në shtrat, banorët e rajoneve të Lindjes së Largët, Chukotka dhe Kamchatka, po përgatiteshin për të hedhur votën e tyre.

“Shkojmë”, tha Ella Pamfilova, shefe e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një paraqitje të drejtpërdrejtë. “Jemi shumë të emocionuar”, tha ajo.

Periudha para zgjedhjeve parlamentare u shoqërua nga një goditje e paparë ndaj kritikëve të Kremlinit dhe mediave të pavarura, me armikun kryesor të presidentit Vladimir Putin, Alexey Navalny të burgosur në janar dhe organizatën e tij të shpallur të jashtëligjshme.

Me shumë votues të frustruar nga rënia e të ardhurave të cilët nuk planifikojnë të hedhin votën e tyre, presidenti Putin u kërkoi rusëve të zgjedhin një parlament “të fortë”.

“Unë llogaris në pozicionin tuaj qytetar të përgjegjshëm, të drejtpeshuar dhe patriotik”, tha presidenti rus në një fjalim televiziv.

Udhëheqësi 68-vjeçar rus aktualisht është i izoluar pasi Kremlini njoftoi këtë javë për një shpërthim të rasteve të koronavirusit në rrethin e tij të ngushtë. Ai tha të enjten se “dhjetëra” dolën pozitiv në testet për koronavirusin.

Në një mesazh nga burgu, zoti Navalny u bëri thirrje rusëve të lënë mënjanë apatinë dhe të votojnë për të lënë jashtë pushtetit kandidatët pro-Kremlinit.

“A nuk jeni të interesuar të provoni?” tha ai në një mesazh të postuar në Instagram, duke shtuar se edhe në burg ai mbetet optimist dhe u bëri thirrje rusëve të bëjnë të njëjtën gjë.

“Unë me të vërtetë nuk mendoj që nuk mund të ndryshoj asgjë”, tha 45-vjeçari, i cili mezi i mbijetoi një helmimi me agjentë nervorë, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.

Aleatëve të politikanit opozitar u është ndaluar kandidimi dhe ekipi i tij ka vënë në zbatim strategjinë për Votim të Zgjuar – një projekt i krijuar për të mbështetur kandidatët që kanë më shumë gjasa të mposhtin kandidatët e Rusisë së Bashkuar të presidentit Putin.

Shumica e 225 kandidatëve të emëruar nga aleatët e zotit Navalny, po konkurrojnë në listën e Partisë Komuniste.

Rregullatori i mediave ka bllokuar dhjetëra faqe në internet të lidhura me zotin Navalny, përfshirë edhe faqen e “Votimit te Zgjuar” si dhe ka ushtruar trysni mbi kompanitë Google dhe Apple për të hequr aplikacionin e zotit Navalny.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha se projektuesit e aplikacionit të zotit Navalny kanë lidhje me Pentagonin, dhe javën e kaluar Moska thirri ambasadorin amerikan John Sullivan në konsultime lidhur me pohimet për ndërhyrjen e gjigantëve të teknologjisë informative amerikane në zgjedhjet ruse.

Anketat e fundit të kryera nga agjencia shtetërore, VTsIOM, treguan që më pak se 30 për qind e rusëve që planifikonin të votonin për partinë në pushtet, nga 40 në 45 për qind në javët përpara zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2016.

Por, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e dy të tretave të saj në Duma, shumicë e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën, siç bëri vitin e kaluar me reformat që i lejuan Putinit të zgjasë sundimin e tij deri në vitin 2036.

Votimi po mbahet online por edhe me prani fizike, në një veprim që zyrtarët thanë se synon të kufizojë ekspozimin e mundshëm të votuesve ndaj koronavirusit.

Opozita thotë se votimi për disa ditë me radhë u jep zyrtarëve mundësi më të mëdha për të sajuar rezultatet.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha në muajin gusht se nuk do të dërgonte vëzhgues për zgjedhjet parlamentare në Rusi, meqë Moska vendosi të kufizojë numrin e vëzhguesve.

Përveç Rusisë së Bashkuar, 13 parti të tjera po marrin pjesë në zgjedhje.

Më shumë se 108 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë në Rusi dhe 2 milionë rusë të tjerë, mund të votojnë jashtë vendit. Në votime mund të marrin pjesë edhe ata që kanë pasaporta ruse në dy rajonet e trazuara të Ukrainës./VOA


Shtuar 17.09.2021 16:00