73 vjeçarja nga Durrësi, me iniciale Xh. G.,është viktima e parë e shënuar në Shqipëri nga koronavirusi. E moshuara, ishte kthyer nga Italia dhe qëndronte prej ditësh në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua edhe më tepër momentin që stafi mjekësor po tentonte ta niste me autoambulancë drejt spitalit të Tiranës, për mjekim më të specializuar.
Stafi e futi në autoambulancë dhe në momentin që mjeti do të nisej për udhëtim, papritur mjekët që do e shoqëronin, urdhëruan ta rikthenin në spital, pasi gjendja e saj u përkeqësua dhe nuk mund të transportohej.
Më herët, kur u paraqit në spital, gruaja nuk kishte treguar nga vinte (që vinte nga Italia) dhe në këto kushte, u akomodua në dhomën numër 3 në katin e katërt te patologjiku në Spitalin e Durrësit. Aty ka qëndruar e shtruar për 4 ditë bashkë me dy paciente të tjera, një 84-vjeçare dhe një grua tjetër e sëmurë.
Gjatë këtyre katër ditëve, 73 vjeçarja dhe dy pacientet e tjera vizitoheshin masivisht nga familjarë e të afërm, si dhe nga stafi mjekësor. Mësohet se të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mjekësor që u kujdes për zonjën në fjalë para se të identifikohej me koronavirus dhe që kanë asistuar pa masa të mbrojtjes personale, iu nënshtruan testit për koronavirusin. Ata janë vendosur në vetëkarantinë.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit se 73-vjeçarja ndërroi jetë, Spitali i Durrësit u kthye në karantinë. Forca të shumta policie qëndrojnë pas perimetrit të përcaktuar nga vetë ata, duke mos lejuar asnjë person të paautorizuar të futet në ambientet e jashtme dhe të brendshme të spitalit.
Të vetmit që mund të futen në ambientet e spitalit jane stafi dhe personat qe kane nevoje për shërbim mjekësor. Këta të fundit nuk duhet të shoqërohen nga familjarë apo të afërm, por vetëm nga stafi mjekësor.
Ndërkohë familja e viktimës mësohet se vijon të qëndrojë e izoluan në banesat e tyre.Po ashtu, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është udhëtimi i viktimës me traget nga Italia në Durrës. Udhëtarët kanë qenë të shumtë, ndërsa dyshohet se Xh.G., mund të ketë infektuar edhe persona të tjerë përgjatë udhëtimit disa orësh.