Shqipëria akoma e paprekur, asnjë rast i konfirmuar me koronavirus

Shqipëria vijon që të ngelet e paprekur nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për mediat thekson se në 24 orët e fundit janë testuar vetëm tre raste të dyshuara të cilat fatmirësisht kanë rezultuar negativë.

Përfaqësuesja e Task-Forcës në Ministri për COVID-19, Eugena Tomini ka bërë thirrje që të gjithë udhëtarët në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit është e rëndësishme që të vetëkarantinohen për 14 ditë.

“Në 24 orët e fundit kemi pasur vetëm 3 raste të dyshuar, të cilët rezultuan negativë. 53 raste në total janë dyshuar, por kanë rezultuar të gjithë negativë. Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare kanë hyrë mbi 17 mijë udhëtarë, ku është monitoruar temperatura për të gjithë. Ministria e Shëndetësisë rekomandon udhëtarët, që kanë pasur kontakte me persona të infektuar, të vetëkarintohen për 14 ditë”, tha Tomini.


Shtuar 6.03.2020 11:23