Barcelona “piketon” qendërmbrojtësin e Lazios

Ecuria e jashtëzakonshme e Lazios në këtë sezon të Serisë A ka edhe “Kostot” e saj.

Futbollistët më të spikatur bardheklatër kërkohen nga klubet e mëdha. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit lacial po nxitojnë të rinovojnë kontratat, për t’i blinduar futbollistët. Kështu ndodhi me Luis Alberton, që ka vendosur të rinovojë me dyfishim të pagës, duke mbajtur larg Barcelonën, por klubi katalan duket se ka hedhur “grepat” për një tjetër elemenet kyç të formacionit të Inzaghit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Luiz Felipe, i datëlindjes 1997.

Sipas “El Mundo Deportivos”, qendrori i djathtë i mbrojtjes me tre të Simone Inzaghi është një nga zbulimet e mëdha të këtij sezoni në Serinë A, ndaj në Katalunjë po mendojnë shumë për të.

Menaxheri i tij, Stefano Castagna, i tha gazetës spanjolle se shumë klube po e pyesin rreth futbollistit 22-vjeçar, por askush nuk ka kontaktuar ende me të:

“Nëse Barcelona e ndjek, ky është një nder për ne. Sidoqoftë, lojtari tani mendon vetëm për Lazio dhe titullin, pasi të zgjidhet kjo situate emergjente. Barça është Barça… Ju po e shihni se çfarë është duke ndodhur në Itali me “Coronavirus”.

Luiz Felipe ka luajtur me U-21 të Italisë, kontrata i skadon në vitin 2022 dhe merr një pagë më të vogël se një milion euro. Pique tashmë është 33-vjeç, ndaj nuk është vonë për të gjetur pasuesin e tij, pasi edhe Umtiti nuk ka patur vashdimësi.


Shtuar 18.03.2020 09:11